presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti gjeneral majorin Timothy Orr

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim gjeneral majorin Timothy Orr të Gardës Kombëtare Amerikane në Shtetin e Iowa-s.

Presidentja Jahjaga e falënderoi gjenralin Orr për angazhimin e tij personal në fuqizimin dhe avancimin e partneritetit shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Iowa-s në SHBA, në veçanti të Gardës Kombëtare Amerikane me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Presidentja Jahjaga vlerësoi se ndihma e Gardës Kombëtare Amerikane për FSK-në në ngritjen e kapaciteteve, aftësimin dhe profesionalizimin e kësaj force është e një rëndësie të veçantë dhe ajo duhet të vazhdohet më tutje. Në veçanti ajo tha se FSK-ja është aftësuar dhe e përgatitur për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare dhe në raste të emergjencave kudo në botë. Duke folur për bashkëpunimin në fusha të tjera Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe shteti i Iowa-s duhet të thellojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre në veçanti në fushën e bujqësisë dhe atë të energjisë alternative si dhe promovimin e investimeve. Presidentja Jahjaga theksoi se qëndrimi i gjeneralit Orr në Kosovë, pas vizitës që ajo i ka bërë shtetit të Iowa-s në qershor të këtij viti, është e rëndësishme dhe flet për një vazhdimësi të interesimit të përbashkët për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Iowa-s. Gjeneral majori Timothy Orr, i cilësoi marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës si të shkëlqyera dhe vlerësoi angazhimin e lidershipin e Presidentes Jahjaga në avancimin e këtyre marrëdhënieve. Ai tha se pas vizitës së Presidentes Jahjaga në shtetin e Iowa-s ka pasur edhe një delegacion tjetër nga Kosova, në nivel ministror, në vizitë në shtetin e tij që flet për vazhdimin dhe thellimin konkret të marrëdhënieve. Gjenrali Orr tha së Shteti i Iowa-s është i përkushtuar për partneritetin me Republikën e Kosovës dhe e cilësoi këtë si një përparësi të punës së tij. Ai tha se Garda Kombëtare në Shtetin e Iowa-s do të ndihmojë FSK-në në të gjitha fushat dhe në profesionalizimin e saj. Gjenerali Orr theksoi se Iowa është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën edhe në fushën e bujqësisë dhe në të gjitha segmentet e tjera ku do të ketë nevojë. Ndryshe, Presidentja Jahjaga në kuadër të vizitës së saj në SHBA, në muajin qershor të këtij viti, ka qëndruar edhe në shtetin e Iowa-s, ku ka takuar zyrtarët e lartë të tij, ka vizituar Gardën Kombëtare Amerikane, si dhe ka vizituar edhe një numër institucionesh arsimore e bujqësore, për të parë mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.