Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim drejtuesit dhe futbollistet e klubit të futbollit të femrave Kosova e Prishtinës.
Ky klub sivjet është shpallur kampion i Kosovës, ndërsa ka fituar edhe kupën e Kosovës në futbollin e femrave, kupë të cilën futbollistet ia dhuruan Presidentes Jahjaga. Presidentja Jahjaga i uroi drejtuesit dhe futbollistet e klubit Kosova e Prishtinës për sukseset e deritashme që kanë arritur në gara dhe u dëshiroi shumë suksese në të ardhmen. Ajo u premtoi atyre përkrahje për krijimin e kushteve sa më të mira për përparimin dhe masivizimin e futbollit të femrave e sidomos për krijimin e mundësive që sportistët kosovarë të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.