presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti Dukën e Madh Henri të Luksemburgut

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Madhërinë e Tij Henri, Dukën e Madh të Luksemburgut, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Luksemburgut, zotëri Etienne Schneider.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Dukën e Madh të Luksemburgut për ndihmën që Luksemburgu i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e procesit të shtetndërtimit dhe të konsolidimit demokratik. Presidentja Jahjaga vlerësoi se marrëdhëniet e Kosovës me Luksemburgun janë shumë të mira dhe ato mund të zgjerohen edhe në fusha të tjera, në veçanti bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Ajo tha se Kosova ka shënuar një përparim të madh në 15 vitet e fundit dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë është punuar shumë në krijimin e një shteti gjithëpërfshirës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në dialogun me Serbinë. Ajo tha se Kosova ka treguar konstruktivitet në dialog dhe se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen në plotëni. Zonja Jahjaga theksoi se Kosova ka përfunduar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimin me Bashkimin Evropian, si hap i parë thelbësor në rrugëtimin drejt anëtarësimit të ardhshëm dhe presim që formalizimi i kësaj marrëveshjeje të ndodhë sa më shpejt.  Presidentja Jahjaga falënderoi Dukën e Madh të Luksemburgut për ndihmën që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në procesin e integrimeve dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj politikës së zgjerimit të BE-së në rajon. Madhëria e Tij Henri, Duka i Madh i Luksemburgut, theksoi se Kosova ka arritur progres të madh në vitet e fundit dhe se shteti i tij është krenar për kontributin dhe ndihmën që kanë dhënë për Kosovën.  Ai theksoi se Luksemburgu do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën, si në procesin e integrimit evropian, të njohjeve ndërkombëtare, në fushën e sigurisë, por edhe në fushën  zhvillimit ekonomik.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.