presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, Jean Eric Paquet

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Drejtoratit të Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim nga Komisioni Evropian, zotëri Jean Eric Paquet, i shoqëruar nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, zotëri Samuel Zhbogar.

Presidentja Jahjaga dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor Paquet diskutuan për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe angazhimin e institucioneve të reja për të përmbushur reformat e parapara për avancimin e agjendës evropiane të vendit. Presidentja Jahjaga tha se prioritet i institucioneve të vendit mbetet përfundimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përmbushja e kritereve të mbetura në kuadër të Dialogut për Liberalizim të Vizave, angazhimi i  institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimin e dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, formimin e Gjykatës Speciale dhe fuqizimin e një ambienti të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të jashtme. Drejtori për Ballkanin Perëndimor Paquet theksoi se është me rëndësi që Kosova t’i trajtojë me prioritet reformat e parapara në kuadër të agjendës evropiane. Ai tha se migrimi i parregullt e bën procesin e liberalizimit të vizave më të vështirë, dhe parashtroi kërkesën që Kosova të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të adresuar këtë problem, me qëllim që procesi i të konkludohet me sukses. Ekonomia gjatë këtij viti duhet të jetë prioritetet i institucioneve dhe tipar i qartë i agjendës evropiane, duke ndërmarrë reforma strukturore që garantojnë qëndrueshmërinë, hartimin e planit zhvillimor dhe adresimin e papunësisë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.