Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, prit në takim Drejtorin e Departamentit amerikan të Shtetit të Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore, zotëri Thomas Yazdgerdi, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Presidentja Jahjaga falënderoi z. Yazdgerdi për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe realizimin e aspiratave euroatlantike për popullin e Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova mbetet e paluhatur në orientimin e saj që të jetë një partnere e fuqishme e Shteteve të Bashkuara dhe krenare me partneritetin dhe të arriturat e përbashkëta të deritanishme të kësaj miqësie.
Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Presidentja Jahjaga theksoi se pret nga institucionet e vendit që të gjejnë mënyrën e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimit të Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga gjithashtu vlerësoi se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është me rëndësi për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet dy vendeve, por theksoi se rëndësi të veçantë ka zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.