presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti delegacionin e nënkomisionit për Partneritet të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti një delegacion të parlamentarëve të NATO-s, të cilët po qëndrojnë në vizitë në vendin tonë për t’u njohur për së afërmi me aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Presidentja Jahjaga i njoftoi parlamentarët e NATO-së me përparimin e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në konsolidimin institucional dhe ndërtimin e vizionit të përbashkët për një shtet të ndërtuar mbi parimin qytetar dhe të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Duke shprehur konsideratë për kontributin e NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse KFOR në vendosjen dhe ruajtjen e paqes në Kosovë si dhe ndihmën e tyre për institucionet e vendit, Presidentja Jahjaga theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie kontraktuale me Aleancën Veriatlantike dhe për ndërtimin e kapaciteteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë. Presidentja Jahjaga theksoi se prania e NATO-s në Kosovë vazhdon të jetë garanci për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Ajo tha se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe se marrëveshja e arritur nga kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së, është përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet në rajon. Ajo shprehu gatishmërinë e palës kosovare për implementimin e saj të plotë.  Kryesuesja e delegacionit të NATO-së znj. Marit Nybakk, përshëndeti marrëveshjen e arritur në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë duke e vlerësuar atë si bazë drejt zhvillimeve të mëtejme pozitive në rajon. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-së vlerësoi progresin që Kosova dhe i gjithë rajoni kanë bërë drejt paqes dhe stabilitetit, duke garantuar mbështetjen e NATO-së ndaj FSK-së.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.