presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga përshëndet operacionin e suksesshëm të mekanizmave të sigurisë, mirëpret kthimin e qytetarit të Republikës së Kosovës në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Atifete Jahjaga ka përshëndetur operacionin e suksesshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për ta kthyer në Kosovë, pranë nënës së tij, të miturin Erion Zena.

Presidentja Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese dhe në bashkërendim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, e kanë autorizuar operacionin e AKI-së për të gjetur dhe sjellur në Kosovë 8 vjeçarin Zena, i cili para 5 muajsh pa lejen e nënës ishte marrë nga babai i tij drejt Sirisë, për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste që po luftojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut.Presidentja Jahjaga, në emër të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të vendit, falënderon burrat dhe gratë e renditur pranë Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për devotshmërinë dhe profesionalizimin që ata kanë treguar për t’iu dalur në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës përkundër vështirësive dhe rreziqeve që ka bartur një operacion i tillë. Puna dhe përkushtimi i tyre për të mbrojtur sigurinë e secilit qytetarë dhe sigurisë sonë kombëtare në përgjithësi na bënë krenarë.Presidentja Jahjaga thekson se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj janë të përkushtuara të ndërtojnë një Kosovë tolerante dhe demokratike dhe nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në strehë të grupeve dhe individëve të caktuar që janë rreshtuar përkrahë grupeve ekstremiste dhe terroriste.Presidentja Jahjaga u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos ju bashkohen kauzave të huaja, por të kontribuojnë në përparimin dhe zhvillimin e vendit të tyre të cilin e ndërtuam me shumë mund. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.