presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga përshëndet aksionin e policisë ndaj ekstremizmit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mirëpret dhe vlerëson lart aksionin e ndërmarrë sot nga mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë së Republikës së Kosovës ndaj të dyshuarve për terrorizëm, për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe Irak përkrah organizatave terroriste, si dhe ndërprerjen e veprimtarisë në lokacione të dyshimta që ndërlidhen me nxitjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe të urrejtjes.

Presidentja Jahjaga vlerësoi se qëllimi i operacionit – përmes të cilit u bë ndalimi i një numri të madh të dyshuarve dhe u bastisen shumë lokacione në nivel vendi, duke penguar veprimtari ilegale që ka për qëllim inkuadrimin e qytetarëve të Kosovës në kauza terroriste – është që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë.Presidentja Jahjaga theksoi se ky operacion ka për cak përballjen me forcën e ligjit të të gjithë atyre që kanë nxitur dhe inspiruar veprime që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, të qytetarëve tanë, të rajonit dhe më gjerë. Presidentja Jahjaga falënderon në veçanti pjesëtarët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe të Policisë së Kosovës për punën e palodhshme për të identifikuar dhe parandaluar rreziqet që i kanosen Kosovës dhe aleatëve të saj strategjik nga terrorizmi. Ajo vlerëson edhe punën dhe angazhimin e Prokurorisë së Shtetit në vendosjen e sundimit të rendit dhe të ligjit.  Presidentja Jahjaga tha se Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe ritheksoi qëndrimin se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues.Institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të pa kompromis në mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Do të mbesim të vendosur të realizojmë përkushtimin tonë për krijimin e shtetit të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve përpara ligjit, dhe për një Kosovë faktor paqeje dhe stabiliteti.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.