presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në panelin për sigurinë e gruas “Security is women’s work”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori sot pjesë në panelin për sigurinë e gruas “Security is women’s work” në ditën e ditë të punimeve të Samitit “Women in the World” që po i zhvillon punimet në New York të SHBA-së. Në panel së bashku me Presidenten Jahjaga morën pjesë edhe Janet Napolitano, sekretare në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jane Harman, drejtoreshë e Qendrës Woodrow Wilson dhe Cathie Lanier, shefe e Departamentit të Policisë Metropolitane, në Distriktin e Kolumbisë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në paraqitjen e saj foli për rolin e gruas në Kosovë në periudhën e para dhe pas luftës. Ajo tha se gruaja, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka qenë viktimë e dhunës, represionit dhe përdhunimit të cilën periudhë e ka mbijetuar. Presidentja Jahjaga tha se gruaja është simbol i paqes dhe pajtimit dhe një forcë shtytëse e ndryshimeve dhe zhvillimit në shoqëri. “Themel i sigurisë është gruaja – sepse siguria e saj nënkupton siguri për fëmijët, siguri për familjen dhe siguri për shoqërinë në përgjithësi”, tha Presidentja Jahjaga. Duke folur për barazinë gjinore dhe rolin e gruas lidere në botë, Presidentja Jahjaga tha se gratë janë më eficente dhe më të suksesshme si udhëheqëse dhe janë dëshmuar si vendimmarrëse të afta.   “Një nga këto tipare, sikundër e tha mbrëmë edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, është se gruaja është dëgjuese më e vëmendshme, por ajo ka edhe aftësi më të mëdha interpersonale. Ato shumë më lehtë përballen me situatat e krizave dhe janë dëshmuar të jenë më të përgjegjshme dhe më llogaridhënëse”, tha Presidentja Jahjaga. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ditën e shtunë, në kuadër të Samitit, do të marrë pjesë në panelin e diskutimit për “Lideret Gra Botërore” (Women World Leaders: Force Multipliers) në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeministrja e Trinidad – Tobagos, Kamla Persan – Bissessar.

This site is registered on wpml.org as a development site.