Presidentja e Republikës së Kosovës zonja, Atifete Jahjaga, mori pjesë në mbylljen zyrtare të punimeve të Konferencës së 15-të të Forumit 2000 në Pragë të Republikës së Çekisë. Presidentja Jahjaga u ftua në Konferencë nga ish-presidenti i Çekisë, Kryetar i Forumit Vaclav Havel i cili në fjalën e tij përmbyllëse e përshëndeti pjesëmarrjen e presidentes së Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë.
Presidentja Jahjaga gjatë punimeve të konferencës së Forumit 2000 mori pjesë në panel së bashku me pjesëmarrës të tjerë nga Rusia, Izraeli e Guatemala dhe mbajti një fjalë në temën “Krimi i organizuar në kohë moderne”. Gjatë tri ditëve të punimeve të Konferencës së Forumit 2000 Presidentja Jahjaga takoi një varg personalitetesh nga sfera politike, publike dhe shkencore, ndër të cilët ish-presidentin cek Vaclav Havel, princin Hasan të Jordanisë dhe pjesëmarrës të Konferencës.