Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Nju Jork, mori pjesë në konferencën për ndryshimet klimatike në botë, të organizuar nga Clinton Global Initiative.
Ajo ndoqi diskutimet që u udhëhoqën nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, mbi sfidën globale që paraqesin ndryshimet klimatike si dhe prezantimet e presidentëve të disa vendeve të botës dhe të kryetarit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Presidentja Jahjaga në kuadër të konferencës u takua me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe një numër liderësh të tjerë që ishin pjesëmarrës në pritjen që u organizua për presidentë e kryeministra.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi edhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Madeleine Albright, me të cilën zhvilloi një bisedë miqësore.
Po kështu, Presidentja Jahjaga sot pasdite do të mbajë një prezantim në Institutin Harrimen – Forumin e Liderëve Botëror në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.
****
Presidentja Jahjaga mori pjesë në konferencën për pjesëmarrjen e grave në politikë
Po ashtu, të hënën, në prag të përgatitjeve për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Presidentja Jahjaga, me ftesën personale të Sekretares Amerikane të Shtetit, zonjës Hillary Clinton mori pjesë në konferencën e mbajtur në OKB që trajtoi pjesëmarrjen e grave në politikë.
Gjatë kësaj konference, Presidentja Jahjaga pati mundësinë të takojë gra lidere që janë të angazhuara në ngritjen e profilit të femrës në të gjitha sferat e jetës.









