Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në hapjen zyrtare të konferencës “Frontiers in Development” të organizuar nga USAID, që po mbahet në Universitetin Georgetown në Washington të SHBA-së.
Në panelin ku u diskutua për zhvillimin, sigurinë dhe demokracinë, Presidentja Jahjaga ishte së bashku me Presidenten e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, atë të Malawit, Joyce Banda, administratoren e UNDP-së, Helen Clark, dhe ish-presidenten e Irlandës, Mary Robinson. Presidentja Jahjaga foli për proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, për procesin e rindërtimit të vendit pas përfundimit të luftës, atë të shtet ndërtimit dhe të demokratizimit të vendit, për çështjen e sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për rolin e gruas në shoqëri. Ajo gjithashtu foli edhe për ndihmën ndërkombëtare në procese të ndryshme për vendin, pastaj për sfidat globale dhe reflektimet e tyre në vend. Në konferencë po merr pjesë edhe admirali James Stavridis, komandant i krahut Jugor të NATO-s si dhe ambasadorja amerikane për çështjet globale të grave, Melanne Verveer. Konferenca e organizuar nga USAID do të vazhdojë punimet gjatë dy ditëve dhe presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, sot pasdite do të mbajë fjalën kryesore për zhvillimin, demokracinë dhe sigurinë globale në shekullin XXI. Presidentja Jahjaga gjithashtu do t’u adresohet pjesëmarrësve në temën e zhvillimit të shoqërive në tranzicion.