Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ia dorëzoi sot familjes Konushevci Urdhrin “Hero i Kosovës”, me të cilin heroi i kombit Ilir Konushevci është dekoruar për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Urdhri “Hero i Kosovës” Ilir Konushevcit i është akorduar nga ish-Presidenti Fatmir Sejdiu më 12 maj 2009, ndërsa iu dorëzua sot familjes së tij nga Presidentja Jahjaga, në 42-vjetorin e lindjes së Ilirit.Gjatë takimit me familjarët e Ilirit, Presidentja Jahjaga tha se Iliri ishte një udhëheqës, luftëtar që vet projektonte dhe vet i realizonte projektet e qëndresës kombëtare. Ai është jo vetëm inspirim për brezat që vijnë pas tij, por ai ishte inspirim i gjallë për bashkëluftëtarët e tij. Ai kishte zgjedhur rrugën e luftës për çlirim, jo pse ajo ishte rrugë e lehtë, por se ajo ishte rrugë e drejtë, tha ajo.Sot, heroizmi i Ilirit, i bashkëluftëtarëve të tij, dhe i shumë vajzave e djemve të Kosovës, në faza të ndryshme të historisë sonë, shërben si bazë për shkuarjen përpara. E shkuarja përpara është mbështetje e vlerave të lirisë kolektive e individuale, të paqes, të pranimit dhe të krijimit të një shoqërie demokratike me mundësi të barabarta. Ky është rrugëtimi i drejtë i Kosovës dhe në këtë rrugëtim do ta përkrahim njëri-tjetrin, si dhe do t’i kujtojmë me mirënjohje ata që u flijuan për lirinë e atdheut tonë, theksoi Presidentja Atifete Jahjaga.Vendimi për dekorimin e Ilir Konushevcit me Urdhrin “Hero i Kosovës” është marrë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 48, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidentja e Kosovës, dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3, 5, 24 dhe 49.Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.