presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga i shkroi letër z.Rompuy, znj.Ashton dhe vendeve të Kuintit kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër Presidentit të Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, zonjës Caterine Ashton, dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, pas vendimit të Republikës së Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Në letër thuhet: Që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimet e demokracisë me synime të qarta për anëtarësim në organizatat euroatlantike. Bashkimi Evropian, për shumë vjet ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe një shoqërie që respekton ligjin. Rruga jonë evropiane është një përpjekje e përbashkët me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ndërtuar një shtet stabil, faktor paqeje dhe stabiliteti dhe një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e vendit.Si Presidente e Republikës së Kosovës unë jam e përkushtuar ndaj këtyre parimeve demokratike. Prandaj, po Ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim të thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkel sovranitetin e shtetit tim, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës.Çfarëdo përpjekje e Republikës së Serbisë për të organizuar zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës shkel normat dhe ligjet ndërkombëtare si dhe parimet themelore Evropiane. Si të tilla këto përpjekje janë të papranueshme dhe ilegale.Institucionet e Republikës së Kosovës i pranojnë standardet ndërkombëtare se qytetarët me shtetësi të dyfishtë gëzojnë të drejtën për të votuar në zgjedhje nacionale dhe ne shprehim vullnetin tonë për të respektuar këto të drejta. Ne po punojmë drejt gjetjes së zgjidhjeve praktike që janë në përputhje me standardet evropiane, ligjet ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por nuk mund të pranojmë çfarëdo procesi zgjedhor të organizohet në territorin e Republikës së Kosovës që minon pavarësinë e vendit tonë.Procesi i zgjedhjeve lokale dhe çdo lloj zgjedhjesh të tjera në Republikën e Kosovës, përcaktohet nga institucionet e saj dhe me ligjet e Kushtetutën e Republikës dhe ato zhvillohen në gjithë territorin e Kosovës.Mbajtja e zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës shënon një kthim prapa të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës, që kanë punuar shumë në dy dekadat e fundit për të rikthyer normalitetin në rajon. Është kthim prapa i progresit të përbashkët të arritur me aq shumë mund në tejkalimin e dallimeve të së kaluarës, progres i cili ka hapur rrugën drejt integrimeve në BE për vendet tona respektive dhe qytetarët e rajonit.Është kthim në retorikën dhe veprimet e së kaluarës që nuk i përkasin një vendi i cili kërkon anëtarësim në BE.Ky paralajmërim ka shkaktuar tensione në mesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës që kanë punuar shumë për të krijuar një shtet të pavarur, bazuar në parimet qytetare dhe që po vazhdojnë të ndërmarrin hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie që bazohet në barazi.Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë përfunduar me sukses procesin e decentralizimit, që ka mundësuar krijimin e komunave të reja me shumicë serbe, siç është paraparë me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin, i cili garanton një gamë të gjerë të të drejtave për komunitetin serb në Republikën e Kosovës.Ky plan është baza e integrimit të komunave në pjesën veriore të Republikës së Kosovës që ju mundëson qytetarëve të kësaj pjese të vendit të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim e legal, të cilët do të mbrojnë interesat e tyre dhe që të bëhen përfitues të të drejtave dhe të lirive, të cilat i gëzon pjesa tjetër e komunitetit serb në Kosovë.Tolerimi i këtij akti, të ndërmarrë nga Republika e Serbisë, gjithashtu rrezikon dialogun e ndihmuar nga BE-ja dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke rrezikuar ndalimin e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e gjithë rajonit.Ju bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të tregojnë vendosmëri në mos lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Republikës së Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se një nga kërkesat kyçe për rrugën e saj drejt integrimit në BE është parimi i respektimit të fqinjësisë së mirë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.