presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga i dërgoi telegram Presidentit Obama, me rastin e 11-vjetorit të sulmeve terroriste ndaj SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e 11-vjetorit të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dërgoi një telegram Presidentit të SHBA-së, z.Barak Obama.

Në telegram thuhet: I nderuari President Obama,Më lejoni të shpreh solidarizimin dhe përkrahjen e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë përvjetor të njëmbëdhjetë, kur vendi juaj po përkujton mijëra viktima të sulmeve terroriste ndaj simboleve dhe vlerave të shtetit tuaj.Përkundër dhembjes dhe humbjes së madhe që shkaktuan forcat e errëta në tokën tuaj, 11 vjet më parë, populli amerikan u ngrit para kësaj sfide duke u solidarizuar me njëri tjetrin, me ata që humbën të afërmit e tyre por edhe duke u përkushtuar sërish për krijimin e një bote më të sigurt për të gjithë, një bote ku mbizotëron paqja dhe respekti i ndërsjellë dhe ku nuk ka vend për dhunë dhe urrejtje. Të bashkuar ju dolët njëzëri në mbrojtje të këtyre idealeve, ashtu siç bëtë edhe kur i erdhët në mbrojtje popullit tim, mbi të cilin po ushtrohej represion dhe dhunë e madhe.Dita e sotme na bashkon ne qytetarët e botës së lirë për të kujtuar momentin që tragjikisht ka shuar shumë jetë të pafajshme. Gjithashtu na kujton se sa të lidhur jemi me njeri tjetrin dhe të kuptojmë se të godasësh njërin prej nesh është sikur të godasësh mbi të gjithë ata që ndajnë dëshirën për të jetuar në paqe dhe për të qenë të lirë.Andaj, sot, derisa po përkujtojmë viktimat, të gjithë mund të themi se jemi mbijetues të 11 shtatorit. Këtë e them jo për të zbutur dhembjen dhe përjetimet e paimagjinueshme të familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe të njerëzve që shpëtuan, të qindra zjarrfikësve e policëve që sakrifikuan edhe jetën për të ndihmuar bashkëkombësit e tyre. E them për t’iu siguruar se përpjekjet e të gjithë të mbijetuarve, përpjekjet e tërë popullit amerikan për të gjetur fuqi për të tejkaluar një humbje kaq të madhe janë edhe përpjekjet tona, të popullit tim, për të bërë gjithçka që është në fuqinë tonë që një dhimbje e tillë të jetë e shënuar dhe të mos harrohet kurrë, por edhe të shndërrohet në kërkim të paqes.Zoti ju bekoftë ju dhe popullin amerikan!Me nderime,Atifete JahjagaPresidente e Republikës së Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.