Presidentja e Republikës së Kosova, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z.Kristofer Dell, të cilin e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr.Ibrahim Rugova”, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
Dekorimi u bë në bazë të nenit 84 pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të nenit 6 dhe 9 të Ligjit për Dhënien e Dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të Rregullores mbi Llojet e Dekoratave që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat për Dhënien e Tyre. Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, Slobodan Petroviq e Mimoza Kusari, ministrat Enver Hoxhaj e Bajram Rexhepi e zyrtarë të tjerë të lartë. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, duke folur me këtë rast, theksoi se është e nderuar që si Presidente e vendit të shpreh falënderimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për angazhimin, punën dhe mbështetjen e pakursyer që ambasadori Dell ka bërë në Kosovë, për popullin dhe institucionet e Kosovës.“Medalja Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm, Dr Ibrahim Rugova është një përkujdesje e vogël simbolike për të shprehur vlerësimin dhe falënderimin tonë për punën jo vetëm në mandatin e parë, por edhe për mandatin e dytë, që Ambasadori Dell ka bërë në ndihmë të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, për liritë dhe të drejtat e njeriut, zhvillimin e proceseve demokratike, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për shtetndërtimin”, vijoi Presidentja Jahjaga.“Medalja e dhënë është për vepër humane, të principeve të paqes, demokracisë dhe humanizmit, principe këto të qytetërimit të sotëm botëror. Këto janë gjithashtu principe të cilat simbolizojnë më së miri Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë një përfaqësues i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe ne vlerësojmë këtë miqësi, shtetin aleat që ka qenë pranë nesh jo vetëm në kohë të vështira por në të gjitha proceset e zhvillimit. Dhe tani vendi ynë ka një të ardhme të ndritur drejt integrimit të plotë në struktura euro-atlantike”, theksoi Presidentja Atifete Jahjaga.Ndërsa Ambasadori Kristofer Dell u shpreh i nderuar për dekoratën që ia dha Presidentja Jahjaga. “Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu. Jam veçanërisht i nderuar që tre presidentët e Kosovës janë këtu sot, dhe simbolikisht edhe Dr. Rugova është me ne sot në ndarjen e këtij çmimi. Dr. Rugovën e kam njohur mirë që nga vizita ime e parë këtu dhe vlerat të cilat ai pati përqafuar dhe rolin që luajti në përpjekjet e Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë janë vërtet inspirim për të gjithë ne që kemi privilegjin të punojmë me institucionet e Kosovës dhe lidershipin e Kosovës dhe mbi të gjitha të kemi mundësinë të njohim popullin e Kosovës”, tha z.Dell. “Është nder i madh të marr një çmim me emrin e Dr. Rugovës dhe do ta kujtoj gjithmonë së bashku me të gjitha kujtimet e mia për të gjithë ju dhe për kohën e kaluar këtu. Siç e thash në ngjarjen e mbrëmshme, është vërtetë një privilegj të jesh diplomat amerikan që punon në Kosovë. Nuk ka ndonjë shtet tjetër në botë ku Shtetet e Bashkuara priten aq ngrohtë dhe aq sinqerisht si në këtë shtet, ku një person mund të jetë përfaqësues i një shteti por po ashtu ta ndjejë dashurinë e popullit të atij vendi në të cilin ai është akredituar. Kjo është diçka që Tedi dhe unë, dhe familja jonë do ta kujtojë për tërë jetën dhe shpresojmë që do t’ju vizitojmë shumë shpesh në të ardhmen”, theksoi Ambasadori i SHBA, Kristofer Dell.