Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga z. Ernst Reichel, i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, vizitoi sot komunën e Mitrovicës.
Fillimisht Presidentja Jahjaga dhe z.Reichel zhvilluan një takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, z.Agim Bahtiri, i cili i njoftoi lidhur me gjendjen e përgjithshme në këtë komunë, e cila është ndër komunat më të prekura nga migrimi ilegal i qytetarëve. Në vazhdim, Presidentja Jahjaga dhe z.Reichel në qytetin e Mitrovicës bashkëbiseduan me qytetarët, të cilët i shprehën atyre nevojën për hapjen e vendeve të reja të punës, për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe për rritjen e mirëqeinies për ta. Në një deklaratë bërë pas takimeve, Presidentja Jahjaga tha se ka ardhur në Mitrovicë, sikur edhe në qytete të tjera, për të parë për së afërmi dhe për të bashkëbiseduar me të gjithë qytetarët tanë dhe për të bërë apel te gjithsecili nga qytetarët tanë, që të ndalojmë procesin e ikjes ilegale nga Kosova, sepse zgjidhja nuk është në ikje. “Ne e dimë që Kosova nuk është shteti që ne kemi dëshiruar ta kemi. Por, ne 15 vite më parë kemi dalë nga një luftë e tmerrshme, që ka lënë pasojë shumë të mëdha. Ne pardje kemi bërë 7 vite të shpalljes së pavarësisë së Republikë së Kosovës. Këto janë sfida të procesit të tranzicionit, të transformimit. Këto janë sfidat e shtetndërtimit tonë. Procesi i shtetndërtimit është proces, i cili merr kohë dhe kërkon një bashkëpunim të fuqishëm në mes të institucioneve të vendit dhe qytetarëve të vendit tonë”, tha Presidentja Jahjaga.Ajo shtoi se perspektiva e Kosovës dhe perspektiva e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është në integrimet evropiane dhe euroatlantike. “Qytetarët tanë nuk duhet të bien pre e grupeve kriminale dhe grupeve ilegale, duke kërkuar që të gjejnë një jetë më të mirë, sepse jeta e tyre dhe e ardhmja e tyre është përbrenda Kosovës”, tha zonja Jahjaga. “Unë këtu jam sot e shoqëruar me ambasadorin Reichel, që është nga Republika e Gjermanisë, që është përgjegjës për pjesën e Ballkanit. Ne e dimë që mesazhi është që të gjithë qytetarët tanë të cilët kanë marrë rrugën e tyre drejt rrugëve ilegale, azili i tyre do të refuzohet dhe ata do të kthehen në Kosovë”, tha Presidentja Jahjaga.E pyetur rreth takimeve të saj me qytetarë, respektivisht nëse këto takime do ta ndalin migrimin ilegal, Presidentja Jahjaga u përgjigj: “Është obligim moral i gjithësecilit prej nesh, qoftë përfaqësues të institucioneve, qoftë qytetarë të afërm të gjithë këtyre qytetarëve që kanë në mendje apo kanë marrë rrugën drejt migrimit ilegal, që të bashkëbisedojmë dhe të mundohemi të përçojmë mesazhin tonë që zgjidhja nuk është në ikje. Zgjidhja është këtu. Proceset e zhvillimit, proceset e zhvillimit ekonomik, të tërheqjes së investimeve të huaja, janë procese në të cilat institucionet e vendit kanë filluar në mënyrë të fuqishme të punojnë dhe këto janë procese që tregojnë rezultate të ngadalshme, por kjo është obligim moral i gjithsecilit prej nesh”. Presidentja Jahjaga përpara nisjes për në qytetin e Mitrovicës, u takua në Zyrën e saj me ambasadorin Ernst Reichel, me të cilin diskutoi për çështjen e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, angazhimin e institucioneve të vendit në ndalimin e këtij fenomeni dhe në zhvillimin ekonomik, që do të mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit. Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Reichel biseduan edhe për përgatitjen që Kosova duhet të bëjë për pranimin e qytetarëve nga Kosova që janë larguar në muajt fundit. Ambasadori Ernst Reichel tha se Gjermania nuk mund ta pranojë këtë fluks kaq të madh të qytetarëve nga Kosova dhe theksoi se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën në procesin e kthimit të qytetarëve të saj. Ai tha se Gjermania do ta ndihmojë Kosovën edhe në krijimin e një perspektive ekonomike
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR