Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, dhe Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baronesha Joyce Anelay, qëndruan sot për vizitë në komunën e Gjakovës.
Ato vizituan Qendrën “Medica Gjakova” në këtë qytet dhe u njohën me aktivitetin që zhvillohet aty.Në një deklaratë bërë me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:Sot kemi ardhur këtu, së bashku me miken time dhe me një përkrahëse të jashtëzakonshme të të drejtave të grave, veçanërisht viktimave të dhunës dhe të torturës kudo nëpër botë, të dërguarën e veçantë të Kryeministrit të Britanisë së Madhe, zonjën Anelay.Kemi ardhur këtu në qendrën “Medica Gjakova”, për të parë një punë të jashtëzakonshme që ka kryer Mirlinda, së bashku me stafin e saj për këto 16 vite me radhë që pas përfundimit të luftës në Kosovë. Kjo qendër është dëshmia më e mirë për neve, për popullin tonë, për të parë që vuajtjet tona dhe pasojat e luftës në Kosovë ende janë të freskëta, ende janë të prekshme për qytetarët tanë, për popullin tonë. Duhet të falënderoj “Medica Gjakovën” për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, për të gjitha shërbimet që kanë dhënë për të gjitha viktimat e dhunës dhe të torturës në Kosovë gjatë luftës.Vet prezenca ime këtu sot është dëshmia më e mirë se e kanë pasur përkrahjen time të pakursyer dhe do ta kenë përkrahjen time dhe të gjitha institucioneve të Kosovës për trajtimin e tyre, për rehabilitimin e tyre të mëtutjeshëm, për riintegrimin e tyre në shoqërinë tonë dhe veçanërisht për atë që ne vazhdimisht kërkojmë për këto 16 vite me radhë, pas përfundimit të luftës, që të vendoset drejtësia në vend për të gjitha viktimat dhe pasojat që ka shkaktuar lufta në Kosovë.Prezenca e Baroneshës Anelay është dëshmia më e mirë se kjo sakrificë e viktimave të dhunës në Kosovë ka edhe përkrahjen ndërkombëtare, të cilën, duhet ta them që nuk e kemi pasur aq sa është dashur në këto vitet pas përfundimit të luftës. Tash e tutje do ta kemi një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare dhe kjo çështje dhe kjo sakrificë do të vazhdojë të ndërkombëtarizohet.