Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga nënshkroi sot me ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, zonjën Tracey Ann Jacobson dhe drejtoreshën e misionit të USAID-it në Kosovë, zonjën Maureen A. Shauket, Marrëveshjen Bilaterale për Përmbushjen e Synimeve Zhvillimore (Development Objective Grant Agreement).
Marrëveshja thekson përkushtimin e qeverisë së SHBA-së për të ndihmuar Kosovën me 37,432,028 dollarë, përmes një fondi mbështetës për një numër aktivitetesh të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID) në Kosovë. Fondet do të shfrytëzohen për ndihmë në fushën e sundimit të ligjit dhe të aktiviteteve të qeverisjes, pastaj në aktivitetet për shtimin e investimeve dhe të vendeve të punës në sektorin privat dhe në programet për shtimin e kapitalit njerëzor në Kosovë. Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën në të gjitha fushat dhe posaçërisht në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit, që ndihmon në nxitjen e investimeve dhe të kapitalit të huaj në vend. Ajo theksoi se Kosova është krenare për miqësinë me SHBA-në dhe vlerësoi se Marrëveshja e sotme bilaterale, sikundër edhe të gjitha marrëveshjet e tjera të arritura ndërmjet dy shteteve, janë themel i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe gjithsesi një ndihmë e jashtëzakonshme për Kosovën në ngritjen e kapaciteteve të saj.