Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell dhe kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Erolld Belegu, kanë zhvilluar sot një video – konferencë me afaristët dhe përfaqësues të bizneseve në SHBA dhe në disa vende të Evropës Perëndimore.
Video – konferenca u zhvillua në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo u përqëndrua në prezantimin e përgjithshëm të të arriturave në Kosovë, zhvillimin ekonomik të saj, mundësitë për investimet e huaja në Kosovë dhe në potencialet dhe resurset natyrore e njerëzore të vendit. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, në hapjen e video – konferencës foli për proceset dhe zhvillimin e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të një shteti të përparuar e gjithëpërfshirës. Ai tha se Kosova në një periudhë të shkurtër kohore ka arritur shumë por theksoi se ka edhe sfidat e saj në rrugën përpara. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, fillimisht falënderoi afaristët amerikanë për interesimin e shfaqur dhe vlerësoi lidhjet e fuqishme që Kosova ka me SHBA-në, në të gjitha fushat. Ajo tha se investimet e kompanive dhe afaristëve amerikanë në Kosovë janë të nevojshme dhe shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për të lehtësuar futjen e investitorëve amerikanë në tregun e Kosovës duke garantuar sigurinë dhe klimën e biznesit që do të mundësonte një afarizëm të qëndrueshëm të tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, foli për tregun e lirë në Kosovë, për legjislacionin dhe Kushtetutën e Kosovës që ofron garanci për investitorët e huaj dhe ata vendas, si dhe për synimet e vendit që të integrohet në tregun ndërkombëtar. Duke theksuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mundësitë e investimeve të huaja, Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka një fuqi të re, të shkolluar dhe të lirë punëtore, ka taksat e ulëta që e bëjnë vendin atraktiv për investime si dhe ka një sistem bankar të qëndrueshëm. Ajo tha se ende po punohet në mbrojtjen e investimeve dhe përmendi një numër marrëveshjesh të arritura me vendet e ndryshme të rajonit dhe të BE-së. Gjithashtu ajo tha se reformat në vend ende po vazhdojnë. “Kosova po zhvillon reformat e rëndësishme strukturore, për të hapur tregun dhe të zgjerojë sektorin privat. Programi i privatizimit është i rëndësishëm. Vazhdimi i privatizimit të disa prej projekteve të mëdha ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit, rritjen e efikasitetit për bizneset dhe përmirërimin e cilësisë së shërbimeve”, tha Presidentja Jahjaga duke veçuar mundësitë për investime kryesisht në fushën e bujqësisë, të energjetikës, të telekomit, etj. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka edhe resurse të pasura natyrore përfshirë mineralet dhe vende atraktive që mundësojnë zhvillimin e turizmit. Për zhvillimin ekonomik të vendit, klimën e përgjithshme të biznesit foli edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, zotëri Errold Belegu.