DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në përvjetorin e Aleancës së të Gruas të AAK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në takimin për shënimin e përvjetorit të Aleancës së Gruas të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në takimin për shënimin e përvjetorit të Aleancës së Gruas të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës. Me këtë rast ajo mbajti një fjalim, të cilin po e sjellim në vijim: Të nderuara gra deputete, Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të Ambasadave,Të nderuara të pranishme,  Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur. Është një demokraci e ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë njerëzit janë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, racore dhe gjinore.Jemi një vend me demokraci të zhvilluar, që i kushtojmë rëndësi të veçantë pozitës së gruas në shoqëri. Me zgjidhjet sistemore dhe ligjore në vendin tonë është përmirësuar dukshëm pozita e gruas dhe ne gjithnjë e më shumë po japim kontribut në zhvillimin e të gjitha proceseve dhe në përparimin e vendit. Është forcuar roli i gruas në vendimmarrje, në pushtetin qendror dhe lokal, në gjyqësi, në polici, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përfaqësimin politik në të gjitha nivelet, por gruaja po luan një rol gjithnjë e më të madh edhe në biznes, ndërsa në edukim, arsim e kulturë tashmë është tradicional kontributi i pamohueshëm i gruas si e barabartë në shoqëri. Ne nuk jemi të kënaqura me këto të arritura, sepse e synojmë barazinë e plotë, duke mos kërkuar favore të posaçme, por duke ndërtuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm që gruaja në mënyre të barabartë të konkurrojë për cilëndo pozitë në shoqëri dhe unë e konsideroj objektiv të arritur nëse gruaja është e përfaqësuar ne masën 50%, aq sa është edhe pjesëmarrja natyrore në popullsinë e përgjithshme. Të nderuara mike,Kuota prej 30% na ka mundësuar arritjen e këtij përfaqësimi. Në zgjedhjet e fundit ne dëshmuam se legjitimitetin tonë e mbështesim në votë. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale duhet të gjejmë zgjidhje sistemore që të rrisim shkallën e përfaqësimit të gruas dhe t’ua përshtatim trendeve të reja të zhvillimit të shoqërisë dhe të shkallës së demokracisë. Duhet t’i ofrohemi përfaqësimit deri në 40% të grave dhe gjithashtu të sigurohemi që së paku një zëvendëskryetare e komunave  të jetë grua dhe kam vendosur që këtë parim të nisim ta zbatojmë që tani. E përshëndes organizimin e forumit të gruas së Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, duke e  vlerësuar lart kontributin e Juaj të dhënë në proceset demokratike të pluralizmit partiak, si  vlerë e  garës së ndershme dhe fer, për të ofruar modalitetet dhe zgjidhjet më të mira, që e përparojnë vendin tonë, Republikën e Kosovës, duke e bërë vend anëtar të  Bashkimit Evropian dhe të NATO-s si synime tona të përbashkëta, por gjithashtu duke ndërtuar një demokraci të mirëfilltë që secilit i jep mundësi që të japë kontributin aty ku vlerësohet dhe aty ku është i dobishëm. Aleanca për ardhmërinë e Kosovës është një parti parlamentare, e cila që nga çlirimi i vendit është dëshmuar në pozitë dhe opozitë për respektimin e vlerave parlamentare. Besoj që Aleanca në zgjedhjet e ardhshme e para do ta mbërrijë kuotën e 50 % (përqindëshit) të përfaqësimit të grave dhe gratë do të jenë dominuese në grupin tuaj parlamentar.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.