DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Investimi në edukimin e hershëm, inovacion e teknologji- çelës për zhvillimin e talentit

Në Ditën Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit, Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa osmani – Sadriu, ka pritur fëmijët e talentuar nga BONEVET.

Presidentja Osmani ka thënë se këta fëmijë na konfirmuan se bashkëjetesa me teknologjinë tashmë është e pashmangshme, dhe se investimi në edukimin e hershëm dhe në inovacion e teknologji, është çelës për zhvillimin e potencialit dhe talentit të tyre.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: 

Sot, në Ditën Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit kalova një pasdite të këndshme me Edrin, Lyren, Amaren, Ardin, Riga, Diten, Ninen, Rronin, Zanen, Morean – fëmijët e talentuar nga BONEVET. 

Për ca çaste, ata mjeshtërisht na rikthyen në botën e fëmijërisë. Teksa i shihnim se si përmes robotikës gjallërohej imagjinata e tyre dhe kur programonin rrugën e duhur në mënyrë që të shmangin pengesat në lojë dhe të përfundojnë sfidat me sukses, e përjetuam bashkë me ta një emocion të veçantë të lirisë, ashtu siç mundet njeriu ta përjetojë vetëm gjatë fëmijërisë. 

Ajo botë e pastër, ai shpirt kreativ, ai kuriozitet i jashtëzakonshëm e ngazëllim, duhet kultivuar dhe mbështetur, e këtë po e bëjnë jashtëzakonisht mirë mentorët e BONEVET. Sot këta fëmijë na konfirmuan se bashkëjetesa me teknologjinë tashmë është e pashmangshme, dhe se investimi në edukimin e hershëm dhe në inovacion e teknologji, është çelës për zhvillimin e potencialit dhe talentit të tyre. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.