Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka përmbyllur vizitën e saj në Katar, ku ka qëndruar me ftesë të Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Presidentja Osmani ka thënë se në përfundim të vizitës në Shtetin e Katarit jemi të lumtur që kjo ishte mundësi e shkëlqyer për ta vënë Kosovën në hartën ndërkombëtare të diskutimeve për sfidat aktuale globale, si faktor i dëshmuar për paqe dhe stabilitet.
“Kosova mund të jetë një vend i vogël në sipërfaqe, por zëri ynë është i fuqishëm dhe historia jonë është e rëndësishme për t'u dëgjuar në çdo cep të botës”, ka thënë Presidentja.
E para e vendit ka thënë se përgjatë vizitës, pata mundësi që t'i takoj udhëheqësit e shtetit të Katarit, përfaqësues të shteteve njohëse e jonjohëse, miq të Kosovës dhe shtete me të cilat po punojmë t’i intensifikojmë raportet ndërshtetërore.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Forcimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i aleancave të reja mbetet qëllim strategjik i politikës sonë të jashtme.
Në përfundim të vizitës në Shtetin e Katarit jemi të lumtur që kjo ishte mundësi e shkëlqyer për ta vënë Kosovën në hartën ndërkombëtare të diskutimeve për sfidat aktuale globale, si faktor i dëshmuar për paqe dhe stabilitet. Kosova mund të jetë një vend i vogël në sipërfaqe, por zëri ynë është i fuqishëm dhe historia jonë është e rëndësishme për t'u dëgjuar në çdo cep të botës.
Përgjatë vizitës, pata mundësi që t'i takoj udhëheqësit e shtetit të Katarit, përfaqësues të shteteve njohëse e jonjohëse, miq të Kosovës dhe shtete me të cilat po punojmë t’i intensifikojmë raportet ndërshtetërore. Në fjalimin përmbyllës në Forumin e Dohas, para qindra pjesëmarrësve nga e gjithë bota, kam paraqitur perspektivën e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit globale.
Poashtu takova përfaqësues të komunitetit të biznesit me të cilët shprehëm gatishmërinë e institucioneve tona për thellim të bashkëpunimit në fushat me potencial për investim në Kosovë, Fondacionin e Katarit si dhe institute nga vende të ndryshme. Asnjë vizitë nuk është e plotë pa diskutime me komunitetin akademik dhe me bashkatdhetarët tanë, prandaj kisha kënaqësinë që t’u drejtohem edhe qindra studiuesve si dhe të bashkëbisedoj me shqiptarët që punojnë e veprojnë në Katar.