Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryeministrin Albin Kurti, me zëvendëskomandantin e KFOR-it, Günter SCHöPF, Komandantin e FSK-së, Rrahman Rama, me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot kanë vendosur kurorë lulesh tek Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, të rënë në Kosovë.
Presidentja Osmani ka thënë se jemi këtu për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të secilit ushtarë të NATO-s, të cilët i qëndruan përkrah Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj.
“Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë edhe kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë duke u shndërruar kështu në shpëtimtare të popullit të Kosovës, por kontribut i cili ka vazhduar edhe më tej, e vazhdon edhe sot për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në gjithë rajonin tonë”, ka thënë Presidentja.
Në bazë të ligjit për festat zyrtare kjo ditë njihet si Dita e Paqes, në mesin e qytetarëve tanë njihet si Dita e Çlirimit dhe Dita e Lirisë, e që sipas Presidentes, të tria këto epitete i përshtaten kësaj dite.
“Sepse, 12 Qershori hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i sollën Republikës së Kosovës pas një sakrifice të jashtëzakonshme e mbinjerëzore edhe lirinë, edhe çlirimin, por edhe paqen pas shumë e shumë vuajtjeve e sakrificave të popullit tonë”, ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se nga këtu fillon kjo ditë te kjo Pllakë e cila e shënon historinë e re të Kosovës dhe bashkëpunimin e fuqishëm me aleatët perëndimorë.