DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Fehmi Agani ishte krahu i djathtë i presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani së bashku me Kryeministrin Albin Kurti si dhe me familjarë, bënë nderime tek varri i akademik Fehmi Aganit në 22 vjetorin e vrasjes.

Presidentja Osmani ka thënë se Fehmi Agani ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vendosjen e bazamentit të shtetit të Kosovës.

Zonja Osmani tha më tej se jemi sot këtu për të kujtuar në radhë të parë shpirtin e tij liridashës, por mbi të gjitha intelektualin i cili kurrë nuk rreshti së punuari për Kosovën shtet të pavarur e sovran.

“Ishte njeri që gjithmonë dinte t’i bënte të gjithë bashkë në kohët më sfiduese. Ishte krahu i djathtë i presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës, e mbi të gjitha punoi që sakrifica e popullit të Kosovës për liri të dëgjohej edhe përtej kufijve tanë duke kontribuar kështu në mënyrë të jashtëzakonshme që të ndërtohen ura e miqësi nga të cilat sot, edhe pas 22 vitesh Kosova përfiton në procesin e shtetndërtimit të saj”, ka theksuar Presidentja Osmani.

E para e vendit ka thënë se sikurse edhe për të gjithë ata të cilëve u mori jetën regjimi gjenocidal serb, edhe sot kërkojmë drejtësi. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.