DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: E tashmja dhe e ardhmja jonë do të jenë më premtuese kur zëri, jeta dhe puna e çdo vajze dhe gruaje trajtohet me respektin e merituar

E nderuar znj. Spence,

E nderuar Vlora,

E nderuar znj. Gojani,

Të nderuara bashkëfolëse,

E dashur Teuta,

Të dashura vajza edhe ju zotërinj që jeni në numër më të paktë sot,

Të nderuar të pranishëm,

Data e 8 marsit mbetet përherë një datë me vlerë të madhe, sepse është dita kur vajzat dhe gratë janë bosht i çdo diskutimi në çdo cep të vendit. Mirëpo, do të doja vërtetë që përkushtimi dhe angazhimi drejt avancimit të të drejtave të vajzave dhe grave të ishte pikërisht në këto nivele në baza ditore në 365 ditë të vitit, nga ana e të gjithëve pa dallim. Mirëpo, derisa kjo të ndodhë, ne nuk duhet të rreshtim se punuari bashkërisht për të drejtat e vajzave dhe grave dhe për barazi gjinore pa kushte.

Përgjatë historisë, rrugëtimi i vajzave dhe grave nuk ka qenë fare i lehtë. Çdo e arritur e jona ndër kapituj të ndryshëm të historisë është shoqëruar me sakrifica të shumta e me sfida të panumërta. Gjersa faktorë të shumtë kanë pasur ndikim në formësimin e këtij rrugëtimi, inovacioni dhe teknologjia kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në lehtësimin e jetës së njerëzve në gjithë botën, duke përfshirë atë edhe të vajzave e grave.

Çfarë dukej e pamundur të realizohej ndoshta jo më shumë se 50 vite më parë, tashmë është lehtësisht e arritur përmes teknologjisë së avancuar. Profesione që mendohej se i përkisnin vetëm burrave e djemve, tashmë kanë si modele të suksesit pikërisht gratë dhe vajzat anembanë botës. Kjo është aftësia transformuese e teknologjisë dhe inovacionit.

Por, siç është rasti me pothuajse çdo gjë tjetër në jetë, edhe teknologjia e inovacioni karakterizohen me anë domosdoshmërisht jo të lavdishme sa i përket kontributit të tyre drejt avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Prandaj, me të drejtë kjo Ditë Ndërkombëtare e Gruas ka në qendër temën “Inovacioni dhe teknologjia për barazi gjinore” dhe si e tillë bën thirrje për reflektim mbi rolin e rëndësishëm që teknologjia luan drejt fuqizimit të grave dhe vajzave në përgjithësi në çdo sferë të jetës.

Por, njëkohësisht, paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi efektet negative dhe sfidat e ndryshme me të cilat vajzat dhe gratë ballafaqohen në hapësirën digjitale.

Fyerjet seksiste, kërcënimet e dhunshme, ngacmimet në internet, shpifja, linçimi, shpërndarja e fotografive intime e shumë e shumë të tjera janë një realitet i hidhur me të cilin janë ballafaquar 73% të grave e vajzave në mbarë botën. E kjo është e patolerueshme!

Ne vërtetë kemi nevojë për hapje të mundësive të reja për vajzat e gratë, por nuk kemi aspak nevojë për rrezik shtesë për dhunë shtesë ndaj tyre, as në shtëpi, as në punë, as në hapësira publike e as në hapësirën digjitale. Në fakt, nuk kemi nevojë për dhunë fare. Ajo duhet të luftohet dhe eliminohet në tërësi, prandaj duhet të ngushtojmë çdo hapësirë që lejon një gjë të tillë.

Sot e them edhe një herë, se çdo jetë është e shenjtë. Integriteti dhe mirëqenia e vajzave e grave duhet mbrojtur me çdo kusht. Të drejtat e tyre duhen avancuar në vazhdimësi e aftësitë e tyre duhen zhvilluar gjithnjë e më shumë.

Andaj, ju që sot jeni epiqendra e kësaj ngjarjeje, mesazh im është që: Mos të ndaleni kurrë, mos të ndaleni së ëndërruari, por në veçanti, mos të ndaleni së besuari!

Do të ketë shumë njerëz përgjatë rrugës suaj që do të tentojnë ta testojnë këtë besim, mos i lejoni të fitojnë. Sepse, këtë nuk do ta bëni vetëm për vetveten tuaj, por edhe për gratë e vajzat që ju rrethojnë, e mbi të gjitha për gratë dhe vajzat që do t’ju pasojnë.

Mos ndaloni kurrë së besuari që nesër mund të jeni në krye të kompanisë më të madhe digjitale në nivel botëror; mos ndaloni kurrë së besuari se projekti juaj nesër mund të shndërrohet në projektin më të suksesshëm në Kosovë dhe përtej; mos ndaloni kurrë së besuari se një ditë ju mund t’i jepni drejtim politikave të vendit, por edhe më gjerë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit e jo vetëm.

Siç nuk ka limit në aftësinë e njeriut për të ëndërruar, po aq bindshëm ju kërkoj të mos limitoheni kurrë në ambiciet tuaja drejt suksesit.

Në ditë të tilla ne shpeshherë flasim për statistika të cilat na ndihmojnë të kemi një fotografi më të qartë të situatës në terren. Por, dua t’u them që çdo statistikë në fushën e të dhënave gjinore nuk përfaqëson vetëm numër, përfaqëson një grua, një storie sfide, një storie suksesi, një kampione të pamposhtur që në lagjen, në fshatin, në qytetin, në shkollën apo në zyrën e vet nuk rreshti kurrë së besuari.

Ju jeni të gjitha kampione të çdoditshme për barazi gjinore dhe keni mundësinë që nëpërmjet punës e angazhimit tuaj të ndihmoni që këto statistika, këta numra në nivel botëror të shkojnë në dobi të jetës së përditshme të vajzave dhe grave; në dobi të avancimit të barazisë gjinore e të ngritjes së mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë sonë.

Sot jam jashtëzakonisht e lumtur të shoh angazhimin e të gjithëve, të institucioneve, të shkollave, të universiteteve, të organizatave të shoqërisë civile, të mediave e të sektorit privat për të promovuar mundësitë për vajza dhe gra në sektorët e njohur si STEM, respektivisht në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Kjo është gjëja më e mençur, kjo është qasja e duhur, sepse tashmë është e konfirmuar se deri në vitin 2050, 75% e vendeve të punës në nivel global do të lidhen kryesisht me këto fusha.

Prandaj, vetëm duke punuar në këtë drejtim, ne punojmë drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të barabartë e më premtuese për të gjithë.

Por, përderisa punojmë për të fuqizuar vajzat dhe gratë, e përderisa investojmë dhe avancojmë në shkathtësitë e njohuritë e tyre, le të punojmë po ashtu pa ndërprerë për garantimin e hapësirave të sigurta digjitale, po aq sa edhe ato fizike, të cilat duhet të jenë më të sigurta për vajzat dhe gratë tona.

Sepse, puna kërkon siguri. E suksesi, pastaj garantohet me meritokraci kur ju jepet mundësi vajzave e grave tona. Ndërsa, e tashmja dhe e ardhmja e jonë do të jenë më premtuese kur zëri, jeta dhe puna e çdo vajze dhe gruaje trajtohet me respektin e merituar dhe kur të gjithë së bashku angazhohemi për barazi gjinore.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.