presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Seancën Solemne në Kuvendin Komunal të Prishtinës me rastin e Ditës së Gruas

I nderuar kryetar i Komunës, z.Rama,

I nderuar kryesues i Kuvendit Komunal,

Të nderuar nënkryetarë Donjeta dhe Alban,

Të nderuar drejtorë,

Shumë të dashur anëtarë të Kuvendit Komunal,

Të nderuar qytetarë të Prishtinës,

Gra të suksesshme,

E dashur Kristale,

Kënaqësi që t’ju bashkohem të gjithëve sot këtu në Kryeqytet, dhe ju falënderoj për ftesën për pjesëmarrje në këtë seancë të veçantë kushtuar arritjeve të grave dhe ndërgjegjësimit për sfidat me të cilat përballen ato në shtetin tonë!

8 Marsi shërben për të na kujtuar përpjekjet për barazi, për paqe e për drejtësi, si dhe rithekson rëndësinë ekzistenciale të jetësimit të barazisë gjinore.

Gratë, në Kosovë e gjetiu, kanë bërë një rrugë të gjatë në luftën për barazi, por udhëtimi nuk ka përfunduar. Pavarësisht përparimit të bërë përgjatë viteve, gratë janë ende të nënpërfaqësuara në shumë fusha dhe pozita vendimmarrëse.

E çka është më e rënda, shumë gra e vajza ende përballen me diskriminim, me ngacmim e me dhunë, si në shtëpi, ashtu edhe në angazhimin e tyre  profesional e së fundmi edhe në hapësirën digjitale. Shpeshherë këto raste kanë përfunduar edhe me vrasje, nëpërmjet dukurisë së shëmtuar të femicidit, të cilën do të mund ta luftojmë vetëm në qoftë se të gjithë bashkojmë forcat rreth kësaj emergjence kombëtare.

Diskriminimi në shumë raste është prezent edhe për gratë e angazhuara në politikë,e këtë e dini secila prej jush. Këto gra shpeshherë përballen me pabarazi, me dekurajim, mungesë përkrahjeje nga subjektet politike, me shtypje, ngacmim, kërcënim e nganjëherë edhe me dhunë. Pikërisht kjo ka shtyrë shumë gra që tëtërhiqen nga jeta publike e shumë të tjera as që të mendojnë që ta fillojnë këtërrugë. Por ky është pikërisht qëllimi i patriarkalisteve, i mizogjeneve e idiskriminuesve. Që vendimet rreth kësaj shoqërie, vendimet për qytetarët tanë t’ju takojnë vetëm burrave. Që mos të ketë gra në tavolinë. E në veçanti jo në pozita vendimmarrëse. Që mos të ketë gra që shfrytëzojnë zërin e tyre për të mirën e kësaj shoqërie. E këtë dëshirë nuk duhet dhe nuk do t’ua plotësojmë. Sepse përveçseështë thellësisht e padrejtë, pabarazitë e tilla dëmtojnë në palcë shoqërinë tonë e shtetin tonë dhe ua mohojnë një të ardhme të ndritur brezave të rinj, të tashëm e tëardhshëm. Fuqizimi i grave në politikë duhet të fillojë nga ju, nga niveli lokal, pikërisht në komunat, pikërisht në kryeqytetin tonë që në baza ditore trajton brengat e qytetarëve. Sepse këto brenga janë të grave e të burrave bashkarisht, prandaj edhe trajtimi i tyre duhet të bëhet nga gratë e nga burrat bashkarisht

Sot, të punosh për barazi gjinore do të thotë të punosh për drejtësi, do të thotë tëpunosh për më shumë siguri, më shumë gjithpërfshirje e më shumë produktivitet për tërë shoqërinë tonë. Por, mbi të gjitha, të kontribuosh për barazi gjinore do tëthotë të jesh në anën e duhur të historisë. E na keni dëgjuar shpeshherë edhe tëthemi se kjo nuk është vetëm gjëja e duhur për ta bërë, por është edhe gjëja më e mençur për ta bërë, sepse nuk do të kishte gabim më të madh për një shoqëri se sa të linte 50 % të potencialit të vet jashtë.

Të nderuar të pranishëm,

Ditën e sotme e kemi nisur me shumë takime me gra e vajza të jashtëzakonshme ato të angazhuara në fushën e shkencës, teknologjisë, teknikës, e po e vazhdojmësot këtu në kryeqytet, në adresën e qytetarëve të Prishtinës, në vendin ku secili prej jush e ka mundësinë për të kuptuar drejtpërdrejt nevojat reale të vajzave e grave tona. Në rolin tuaj, ju keni mundësinë që të transformoni jetën e tyre për të mirë.

Por, me vajzat e gratë nuk duhet të jemi vetëm sot. Në këtë sallë, besimet ideologjike vërtetë edhe mund të jenë të ndryshme, por besimi në barazi gjinore duhet të na bashkojë të gjithëve. Sepse shoqëria dhe shteti ynë ka nevojë të çdoditshme për angazhimin dhe gjithpërfshirjen e grave në qoftë se dëshirojmë njëPrishtinë të suksesshme e një Kosovë të suksesshme.

Ndonëse gratë vazhdojnë të jenë të diskriminuara nga pabarazitë e çdoditshme, ne kemi të arritura të jashtëzakonshme për të cilat duhet të krenohemi. Kosova po shënon rritje të numrit të grave në fushat e Shkencave, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Mekanikës, në pozita udhëheqëse. Në art, kulturë, sport, e biznes, përfaqësueset e të cilave i kemi edhe sot në mesin tonë mobilizimi për aktivizim tëtyre në tregun e punës e në jetën publike po merr hov gjithnjë e më shumë. Por,pavarësisht kësaj, ne nuk duhet të vetmjaftohemi, përkundrazi, ne duhet të shohim se si sfidat e së sotmes t’i shndërrojmë në mundësi të së ardhmes.

Të nderuar anëtarë të Kuvendit

Jam e vetëdijshme se kryeqyteti është adresa e parë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Por, e di sigurt se vetëm bashkërisht mund të bëjmë ndryshime në favor të përmirësimit të qëndrueshëm pozitës së grave, përfshirjes dhe të drejtave të tyre.

Mjetet e opsionet për ta bërë këtë janë të shumta, ato fillojnë nga nismat simbolike e deri tek intervenimet sistematike. Por, një gjë është e sigurt, çdo aktivitet e nismëluan rol e peshë të veçantë, sidomos në edukimin e brezave të rinj. Prandaj ju ftoj që ta mbështesim nismën që të kemi sa më shumë emërtime të rrugëve të reja me emra grashë, sikurse edhe të inkurajojmë regjistrimin e pronave në emër të grave.

Ne duhet ta dëshmojmë çdo ditë se mund të bëjmë diçka më shumë për përmirësimin e pozitës së grave në të gjitha fushat. Në këtë foltore, pas disa dekadave do të jenë liderë e asambleistë të tjerë. Le të sigurohemi që kur tëkujtojnë punën tonë të na kujtojnë si udhëheqës që e kemi bërë punën më së miri, e në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Aktualisht 75 % e rrugëve janë të emëruara me emra burrash, ndërsa vetëm 9.8 % me emra grash. Kjo statistikë nuk na bën nder as si shoqëri e as si shtet. Sepse, historinë tonë e kanë shkruar gratë dhe burrat së basku, andaj si e tillë duhet edhe të tregohet qoftë nëpërmjet librave, dokumentarëve, filmave, apo edhe emërtimit tëshkollave, të rrugëve. Ne kemi shumë gra që meritojnë emrat e tyre të jetësohen përjetësisht qoftë në emra rrugësh, shkollash apo institucionesh të tjera të ngjashme. Sepse, ato na kanë bërë nderë përgjatë historisë sonë, prandaj sot ne ua kemi borxh që t’i nderojmë ato.

Barazia gjinore përfshinë jo vetëm sektorë të caktuar, por të gjithë sektorët, pa dallim.

Prandaj, ta ndjekim këtë praktikë çdoherë kur emërtohen rrugët, sheshet, bulevardet, shkollat, kopshte fëmijëve dhe institucione të tjera.

Të nderuar anëtarë të Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Ne sot përballemi edhe me fenomene të tjera shqetësuese. Ne kemi një numërvërtetë të ulët të regjistrimit të pronave në emër të një gruaje apo të dy gjinive.

Nga foltorja e Kuvendit të kryeqytetit iu bëj thirrje të gjitha grave të insistoni qëtë kërkoni të drejtat tuaja e mos ndaleni përballë asnjë pengese, sepse vetëm atëherë kur ju nuk dorëzoheni, do të triumfoni në atë që ju takon.

Kështu jetësohet barazia. Kjo është ajo që na duhet përfundimisht si shoqëri dhe si shtet.

8 Marsi në fakt është vetëm një prej shumë ditëve, prej 365 ditëve që duhet të shërbejë si ditë kujtese për të reflektuar mbi sfidat me të cilat përballen vajzat e gratë, si dhe një mundësi për të shtuar përkushtimin për t’i luftuar ato.

Përgjatë gjithë historisë, gratë shpeshherë janë shtypur, heshtur dhe u janë mohuar të drejtat e tyre themelore njerëzore. Por, sot është vërtetë koha e fundit t’uthemi mjaft këtyre diskriminimeve!

Lufta për të drejtat e grave nuk është vetëm çështje e grave, është çështje njerëzore. Kur gratë fuqizohen, shoqëria përfiton në tërësi.

E kur flasim për të drejtat e grave, flasim për të drejtën për të jetuar pa dhunë, pangacmim, por flasim edhe për fuqizimin e tyre ekonomik, të drejtën në arsim e kujdes shëndetësor, të drejtën për punë e pagë të dinjitetshme. Praktikisht po flasim për të drejtën për t`u përfshi plotësisht e në mënyrë të barabartë në shoqërinë tonë dhe nevojën që të përfshihemi si shoqëri për barazi.

Prandaj, le të punojmë së bashku, burra e gra, në mënyrë që secila grua e vajzë e Kosovës të vlerësohet, të respektohet dhe të mos diskriminohet!

Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.