DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule me të cilin diskutoi për perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e dialogut për liberalizimin e vizave, kërkesën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe për ndihmën dhe përkrahjen e BE-së për agjendën evropiane të Kosovës.

Presidentja Jahjaga falënderoi z. Fule për nisjen e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, duke e çmuar këtë si një arritje të përbashkët që sinjalizon përkushtimin evropian për rrugën e qartë të Kosovës drejt integrimit dhe perspektivë të qartë për qytetarët e Kosovës. Njëkohësisht, Presidentja Jahjaga përsëriti përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të adresuar problemet dhe gjetur zgjidhje që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit. Në takim, Presidentja Jahjaga theksoi se zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat veriore të Kosovës qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit. Presidentja kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legal dhe legjitim që do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës. Presidentja Jahjaga po ashtu e njoftoi z. Fule për krijimin e dy këshillave kombëtarë pranë Presidentes, Këshillin Kundër Korrupsionit dhe Këshillin për Integrime Evropiane, për të cilat mori përkrahjen e Komisionierit, i cili premtoi pjesëmarrjen e tij në inaugurimin e këshillit që mëton saktësimin, përshpejtimin dhe koordinimin e agjendës evropiane të Kosovës. Ky takim u mbajt në kuadër të Konferencës së 48-të të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, që shënon mbledhjen më të madhe për çështje të politikave të sigurisë në Evropë dhe që ka tubuar kësaj radhe 70 delegacione qeveritare nga mbarë bota, liderë shtetesh dhe ekspertë të fushës së sigurisë.Presidentja Jahjaga, pati edhe një sërë takimesh tjera në margjinat e kësaj konference.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.