presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane, Viktoria Nuland

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga zhvilloi sot një bisedë telefonike me Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane, znj. Viktoria Nuland.

Biseda u përqendrua në krijimin e institucioneve të Kosovës dhe përkushtimin e qeverisë së re për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ndërmarrë reformat në kuadër të agjendës evroatlantike të vendit.

Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Presidentja i tha Ndihmës Sekretares Nuland se, përkundër vonesës në krijimin e institucioneve, vendi ka dëshmuar besueshmëri dhe pjekuri në respektimin e sundimit të ligjit dhe proceseve demokratike.

Presidentja Jahjaga tha se qeveria e re dhe parlamenti janë përkushtuar për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrimet që lidhen me luftën kundër korrupsionit, krijimin e Gjykatës Speciale, përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave dhe MSA-në, dhe vazhdimin e  dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Ndihmës Sekretarja Nuland i përgëzoi Presidenten Jahjaga dhe liderët politik të Kosovës për tejkalimin e dallimeve rreth krijimit të qeverisë vet dhe në mënyrë paqësore.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.