Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim z. Martin Ledolter, Drejtor menaxhues në Agjencinë Austriake për Zhvillim, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Johann Brieger dhe udhëheqësi i kësaj agjencie në Prishtinë, z. Christian Geosits.
Presidentja Jahjaga e falënderoi z. Ledolter, për mbështetjen e vazhdueshme që Agjencia Austriake për Zhvillim i ka dhënë Kosovës në forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e demokracisë, përmes projekteve që kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit, edukimin dhe çështjet gjinore. Ajo vlerësoi lart marrëdhëniet Kosovë-Austri dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi me këtë agjenci do të kontribuojë në thellimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të këtyre marrëdhënieve.
Drejtori menaxhues në Agjencinë Austriake për Zhvillim, z. Martin Ledolter shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen në realizimin e prioriteteve të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik, sundimit të rendit dhe ligjit dhe të drejtave të njeriut.