DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua sot në Paris me ministrin e Punëve të jashtme të Francës, Laurent Fabius

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në Paris me ministrin e Punëve të jashtme të Republikës së Francës, zotëri Laurent Fabius, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset integruese të vendit dhe të rajonit të Ballkanit.

Presidentja Jahjaga në bisedë me ministrin Fabius shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Francës për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni dhe vlerësoi se Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të demokracisë së saj dhe subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për këto procese të shteteve të ndryshme të botës, përfshirë edhe Francën. Presidentja Jahjaga theksoi se për Kosovën është me rëndësi të madhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira me Republikën e Francës dhe posaçërisht zgjerimi i tyre në fushën e ekonomisë.  Duke folur për rëndësinë dhe ndikimin që ka pasur dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi zbatimi i plotë në praktikë i marrëveshjeve të arritura në dialog, sepse kjo do të lehtësojë jetën e qytetarëve dhe kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe hap perspektivën evropiane për të dyja vendet.  Ajo tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në procesin e integrimeve evropiane, edhe përmes negociatave për Marrëvedhjen e Stabilizim Asociimit. Presidentja Jahjaga tha se është me rëndësi për qytetarët e Republikës së Kosovës, që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përmbyllet sa më shpejt dhe që shtetasit e Kosovës të kenë mundësi të lëvizin pa viza në BE, sikur edhe të gjithë qytetarët e vendeve të rajonit. Presidentja Jahjaga theksoi se procesi i integrimit evropian përbën një rëndësi të veçantë për avancimin e të gjitha shteteve të rajonit, duke i ofruar perspektivë paqes së qëndrueshme dhe përparimit të vendeve të rajonit.  Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova më 8 qershor do të përmbyllë një proces të rëndësishëm të zgjedhjeve të përgjithshme, që do ta ndihmojë vendin në rrugën përpara dhe theksoi se të gjithë institucionet dhe e gjithë shoqëria në Kosovë, janë të angazhuar për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të ndershme.  Ministri i Jashtëm i Republikës së Francës, zotëri Laurent Fabius duke e vlerësuar angazhimin e Presidentes Jahjaga theksoi se ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë e Kosovës, veçanërisht me punën e saj në mbështetje të sundimit të rendit dhe ligjit. Ai tha se vendi i tij përcjell me shumë vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit dhe theksoi se mbështetjen e Francës për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë.  Ai vlerësoi se marrëdhëniet në mes dy vendeve kanë shënuar progres të dukshëm veçanërisht në fushën e ekonomisë duke shprehur gatishmërinë për intensifikimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po qëndron në Paris, ku merr pjesë në punimet e Samitit Global të Grave, që këtë vit organizohet nën patronatin e qeverisë franceze. Në hapjen zyrtare të samitit, që do të bëhet sot, Presidentja Jahjaga do të mbajë një fjalë për pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.