presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me baroneshën Catherine Ashton

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pati takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton. Presidentja e Kosovës tha se Kosova dhe populli i saj duhet ta kenë një rrugë të qartë për liberalizim të vizave për marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Ajo tha se kjo e ka simbolikën, sepse Kosova është pjesë e Evropës dhe ka të ardhme evropiane dhe gjithashtu edhe se ndihma e deritashme e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ishte sukses. Presidentja Jahjaga tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duhet të ketë sukses dhe rezultatet tashmë po shihen dhe duhet të punohet më shumë në komunikim për shpjegimin e marrëveshjeve dhe dobitë që sjellin ato për qytetarët e të dyja vendeve. Ajo tha se misioni i EULEX-it do të jetë i suksesshëm kur ta përmbyllë misionin dhe t’i bartë kompetencat në institucionet e Kosovës dhe kjo mund të arrihet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat e institucionet e Republikës së Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE, baronesha Ashton theksoi se është e qartë se Kosova ka të ardhme evropiane dhe kjo është rrugë normale e përcaktuar për të gjitha vendet e tjera, kriteret që duhet të përmbushen dhe që nuk janë të veçanta vetëm për Kosovën. Ajo tha se Kosova duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë dhe bashkërendim me misionin e EULEX-it dhe të KFOR-it. Sa i përket aksionit në veri të Kosovës, zonja Ashton tha se “jemi të pakënaqur me aksionin unilateral në këtë pjesë dhe theksoi se kjo nuk duhet të përsëritet më”.  Zonja Ashton e nxiti Presidenten që të vazhdojë punën me komunitetet në Kosovë. Zonja Ashton tha se dialogu i filluar ka dhënë rezultate dhe duhet të vazhdojë në këtë frymë dhe të dyja vendet duhet të komunikojnë dhe të shpjegojnë të mirat e arritjes së këtyre marrëveshjeve. Të dyja bashkëbisedueset u morën vesh që komunikimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së të jetë më i shpeshtë dhe më i rregullt, të evidentohen përparimet dhe të gjenden zgjidhjet praktike. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.