Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga kryetari Ilir Meta dhe përfaqësues të grupeve parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.
Presidentja Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit Meta theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe avancimit të marrëdhënieve që ndihmojnë të dyja vendet në proceset demokratike në të cilat ndodhen.Presidentja Jahjaga dhe kryetari Meta theksuan edhe nevojën e shkëmbimit të përvojave në fushën e legjislacionit për përafrim me BE-në. Ata folën edhe për çështje të tjera të ndërlidhura me ndihmën reciproke në fushën ekonomike dhe zhvillimet aktuale politike. Për nder të Presidentes Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zotëri Ilir Meta, shtroi një drekë pune, ku morën pjesë edhe një numër i deputetëve të Kuvendit dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, zotëri Edmond Panariti, si dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Pylltarisë i Kosovës, zotëri Memli Krasniqi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hykmete Bajrami.