Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, ka takuar sot në takime të veçanta, kryetarin e LDK-së, zotëri Isa Mustafa, kryetarin e AAK-së, zotëri Ramush Haradinaj, kryetarin e PDK-së, zotëri Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti si dhe kryetarin e NISMA-s, zotëri Fatmir Limaj.
Presidentja Jahjaga përsëriti qëndrimin për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për krijimin e institucioneve të vendit me qëllim të përmbushjes së pritjeve të qytetarëve të vendit për institucione të qëndrueshme dhe për përshpejtimin e proceseve reformuese në vend e të integrimeve euroatlantike. Ajo tha se Kuvendi është institucion autonom dhe deputetët e liderët politikë, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës së vendit, duhet të gjejnë mënyrat për të mundësuar krijimin e institucioneve të vendit. Presidentja Jahjaga tha se liderët politikë duhet të ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues, që në rast të përafrimit të tyre do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet tyre.