presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti zëvendëskryeministrin e Kroacisë, Neven Mimica

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Kroacisë, z. Neven Mimica.

Presidentja Jahjaga, në takim me Z. Mimica  theksoi rëndësinë  e takimit në këtë moment shumë të rëndësishëm për Kosovën, pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare. Ajo theksoi se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët dhe ka dëshmuar se është shembull i paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë. Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve për dialog me të gjithë qytetarët  e saj, duke nënvizuar se e ardhmja e Kosovës por edhe e rajonit është integrimi në strukturat euro-atlantike.  Presidentja Jahjaga nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të ndihmës dhe përkushtimit të Kroacisë, që Kosova sa më parë të plotësojë të gjitha kriteret demokratike për integrim në familjen evropiane bazuar në përvojat dhe ekspertizën kroate. Zëvendëskryeministri i Kroacisë z.Neven Mimica, ofroi mbështetjen e plotë politike të institucioneve të Kroacisë për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Ai shprehu  përkushtimin e Kroacisë për të ndarë përvojat dhe ekspertizën me qëllim që dinamika e integrimit të Kosovës në BE të jetë më e shpejtë.  Z. Mimica po ashtu shprehu mbështetjen e Republikës së Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare dhe gatishmërinë e këtij vendi për intensifikim të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me theks në atë të zhvillimit ekonomik. Ai e përgëzoi presidenten Jahjaga për rolin që ka pasur në miratimin  kërkesës së pakicës kroate për të fituar të drejtën e pakicës kombëtare në Republikën e Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.