DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim presidentin e Republikës së Bullgarisë, zotëri Rosen Plevneliev, i cili po qëndron për vizitë zyrtare dyditëshe në Kosovë me ftesë të Presidentes.

Presidenti i Republikës së Bullgarisë, zotëri Rosen Plevneliev, u prit me nderime të larta shtetërore dhe fillimisht zhvilloi bisedë kokë më kokë me Presidenten Jahjaga dhe më pastaj edhe bisedë të zgjeruar mes dy delegacioneve.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Plevneliev biseduan për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushat e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe të bashkëpunimit tregtar, të projekteve të përbashkëta në infrastrukturën energjetike dhe rrugore, për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe rëndësinë e ndërtimit të fqinjësisë së mirë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si parakusht i integrimeve në BE.

Presidentja Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, e vlerësoi lart ndihmën e Bullgarisë për Kosovën në të gjitha proceset e shtetndërtimit të saj dhe theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, posaçërisht në bashkëpunimin ekonomik dhe të investimeve. Ajo e vlerësoi të rëndësishme ndihmën që Bullgaria mund të ofrojë për Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe posaçërisht në mbështetjen në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të  nënshkrimit të MSA-së, që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së.

Presidenti i Republikës së Bullgarisë, zotëri Rosen Plevneliev, e falënderoi presidenten Jahjaga për ftesën dhe për pritjen e ngrohtë në vizitën e tij në Kosovë. Ai i vlerësoi të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe tha se Bullgaria do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset. Presidenti Plevneliev tha se për Kosovën është me rëndësi konsolidimi institucional i saj i brendshëm si dhe në skenën ndërkombëtare. Ai tha se Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit kanë perspektivë evropiane dhe duhet të punojnë në ndërtimin e marrëdhënieve ndër fqinjësore.

Në fund të takimit, Presidentja Jahjaga de Presidenti Plevneliev mbajtën një konferencë me gazetarë, ku dhanë deklaratat e tyre. Po i botojmë të plota të dyja deklaratat:

Presidentja Jahjaga: Kam nderin që sot në Kosovë, në vizitë zyrtare ta mirëpres Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Z. Rosen Plevneliev, mikun tim të mirë dhe mikun e Kosovës.

Z.President. Mirë se vini në Kosovë!

Me presidentin Plevneliev patëm një takim jashtëzakonisht të mirë, një takim miqësor dhe të përzemërt. Biseduam për shumë çështje të interesit të përbashkët të të dyja vendeve tona, të qytetarëve  tanë, por edhe të mbarë rajonit.

Z. President,

E vlerësoj të jashtëzakonshme përkrahjen e shtetit Tuaj për Kosovën, në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë. Kosova dhe Bullgaria kanë një histori të gjatë të lidhjeve mes tyre dhe unë në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të vendit, i shpreha falënderimin tim Presidentit Plevneliev për ndihmën që Bullgaria i ka dhënë Kosovës, në hapjen e kapitullit të ri të shtetndërtimit dhe të një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse.

Në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës i shpreha Presidentit Plevneliev falënderimet e përzemërta për gjithë punën e atyre burrave dhe grave qe shërbyen në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, të cilët kanë ndihmuar në vendosjen e paqes dhe të një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin për ndërtimin e një Kosove të përparuar.

Kjo ndihmë vazhdon të jetë e domosdoshme në stabilizimin e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike dhe ndërtimit të kapaciteteve tona të sigurisë.

Dy vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie të mira ndërmjet vete, dhe me Presidentin sot kemi biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe investimeve. E theksoj se Kosova ofron potenciale të mëdha për investitorët nga Bullgaria. Kosova ka resurse të mëdha edhe natyrore edhe njerëzore, dhe ne po krijojmë një klimë të mirë të biznesit, dukë ofruar siguri për të gjithë investitorët.

Ne po ashtu synojmë zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, në veçanti me vendet e Bashkimit Evropian dhe përfshirjen në tregun e familjes evropiane.

Bullgaria është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë sonë dhe duke dhënë përkrahje për proceset nëpër të cilat po kalon populli dhe vendi ynë.

Republika e Kosovës sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, ka perspektivë të qartë evropiane, dhe ne po punojmë me ngulm për të përmbushur standardet e kriteret e përcaktuara që na përafrojnë me familjen e madhe evropiane.

Si një shtet i ri në Evropë po dëshmojmë përkushtimin për fqinjësi të mirë dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në rajon dhe të zgjedhjes së çështjeve me dialog dhe marrëveshje.

Në bisedë me presidentin Plevneliev kam ritheksuar nevojën e mbështetjes për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, në përputhje me të drejtën e lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit. Dhe e kam siguruar Presidentin se në bazë të kërkesës sime, brenda pak javësh, institucionet e vendit do t’i përmbushin të gjitha kriteret teknike, për ti’ hapur rrugë procesit të liberalizimit të vizave.

Unë besoj fuqishëm në përkrahjen e vazhdueshme të shtetit mik të Bullgarisë në të gjitha proceset integruese për vendin tonë.

Dhe në fund, dy vendet kanë një nivel të fuqishëm të miqësisë dhe të bashkëpunimit. Ne, siç diskutuam me Presidentin Plevneliev, do të vazhdojnë që ta thellojmë bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis dy vendeve tona dhe qytetarëve tanë, në fushat e interesit të përbashkët, si në fushën e ekonomisë, të tregut, të kulturës, në fushën e rendit dhe të sigurisë dhe në qarkullimin e lirë të qytetarëve midis të dyja vendeve tona.

Zotëri President, ju faleminderit për vizitën tuaj dhe për miqësinë që kanë vendet tona.

Presidenti Plevneliev: Është kënaqësi e madhe për mua që sot të jem për vizitë në Kosovë. Marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme. Republika e Bullgarisë ishte një prej shteteve të para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ne krenohemi me këtë fakt. Unë krenohem që jam kreu i parë i shtetit bullgar që është për vizitë zyrtare në Kosovë.

Bullgaria përkrah aktivisht përpjekjet e autoriteteve ndërkombëtare dhe autoriteteve të Kosovës për ndërtimin e një shoqërie moderne multientike. Për Bullgarinë, Kosova është një partner perspektiv tregtar në fushën e mbrojtjes së investimeve në të dy vendet dhe unë  jam i sigurt se marrëveshja në këtë fushë do të finalizohet gjatë muajve të ardhshëm. Pas nënshkrimit, marrëveshja do t’i japë shtytje zhvillimit  të biznesit, se edhe biznesi ka nevojë për një mbështetje ligjore.
 
Kompanitë e mëdha bullgare punojnë tashmë. Një kompani bullgare ndërtoi një kompleks të madh tregtar këtu në Prishtinë. Por, ne mund të ofrojmë edhe më shumë. Ndërmarrjet bullgare janë gati të vijnë këtu dhe të krijojnë vende të reja të punës në fushën e bujqësisë, turizmit, farmaceutikës, prodhimit të ushqimeve, infrastrukturë e të tjera. Ne do të realizojmë shumë projekte të përbashkëta.

Ballkani ka potenciale të mëdha. Ne mund t’i përdorim bashkërisht në përpjekjet tona për ndërtimin e një infrastrukture moderne në Ballkan, sepse kjo është pengesa e madhe për zgjerimin e lidhjeve. Përshëndesim Kosovën në përmbylljen e bisedimeve  për marrëveshjen për stabilizim-asociim. Bullgaria do ta luajë rolin e saj dhe do ta vazhdojë t’ju mbështesë. Ne përshëndesim hapat e juaj të bërë deri tash në rrugën drejt Evropës.

Unë ju përgëzoj për qëndrimin tuaj konstruktiv ndaj fqinjësisë së mirë dhe ndaj dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilin ne në Bullgari e vlerësojmë lart. Jemi të sigurt se secili prej shteteve do t’i përmbahet parimeve demokratike dhe të sundimit të ligjit. Projekti evropian mund të përfundohet atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e familjes evropiane. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të garantojnë paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Paqja arrihet me ndërmarrje dhe parime që janë të barabarta për të gjithë. Paqja arrihet kur shohim vetëm përpara dhe jo mbrapa, kur kemi shoqëri moderne në rajon, kur integrohemi, kur lidhemi njëri me tjetrin. Bullgaria është motor për zhvillim.

Përshëndesim të gjitha përpjekjet dhe hapat që janë ndërmarrë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis të gjithë shteteve të Ballkanit. Përshëndesim marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Përshëndesim heqjet e plotë të vizave për shtetasit e Kosovës. Ne jemi një prej motorëve për të këtë proces dhe shpresojmë se shumë shpejt do të arrijmë sukses. Sepse institucionet tuaja punojnë, besimi ekziston dhe jam i sigurt se shumë shpejt mund të ketë rezultate.

Bashkëpunimi rajonal është me rëndësi të madhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Askush nuk mund të bëjë vetë përparim, prandaj duhet të punojmë bashkërisht, me qëndrim të përbashkët. Kosova e ka vendin e vet në këtë qëndrim të përbashkët.

Realizimi i korridoreve të transportit, si ai numër 10 dhe ai numër 8 janë me rëndësi. Ne besojmë se korridori Sofje-Nish-Prishtinë është prioritete në punën tonë. Kjo do të thotë të mos udhëtojmë pesë orë, siç kemi udhëtuar sot nga Sofja në Prishtinë, por për dy orë.

Kufizimet duhet të hiqen, kufizimet e vizave, kufizimet e rrugëve. Ne duhet të jemi një familje e madhe që jeton dhe punon bashkërisht në shtëpinë e vet. Shtëpia jonë është Ballkani.

Mbështesim të gjitha projektet energjetike për lidhjen e sistemeve të të gjitha vendeve. Bullgaria prodhon energji dy herë më shumë nga konsumi i vendit. Ne prodhojmë energji bërthamore, përdorim  teknologjinë më moderne, energjinë ripërtëritëse, burimet ripërtëritëse dhe do të ndihmojmë miqtë tanë këtu në Kosovë që edhe ju të mund të ndërtoni pajisje moderne në nivel botëror. Keni resurse strategjike dhe këto potenciale duhet të shfrytëzohen.

Ambiciet tona janë ndërtimi i një bashkimi energjetik evropian, i cili duhet të realizohet në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Bullgaria dhe Kosova do të jenë motori i këtij projekti të përbashkët. Ai do të garantojë çmime konkurrues edhe mundësinë e zgjedhjes së furnizuesit për secilin konsumator dhe për secilin biznes.
 
Ballkani, që dikur ishte një vend me konflikte, sot do të jetë një vend i paqes, i zhvillimit njerëzor. Kjo është e mundur vetëm në bazë të integrimit evropian. Ne besojmë në këtë dhe do të mbështesim çdo hap të Kosovës dhe të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit.

Bullgaria si anëtare e NATO-s dhe e BE-së do të jetë garantë për zbatimin e këtyre proceseve.

Sot diskutuam bashkëpunimin e mirë midis shërbimeve të sigurimit. Ky bashkëpunim do të thellohet në të ardhmen. Krenohemi se kemi dhënë kontribut për ndërtimin e institucioneve të Kosovës si një shtet modern.

Bullgaria është shteti i tretë i cili ka kontribut më të madh në misionin e BE-së për ndërtimin e institucioneve të Kosovës me 56 vetë që punojnë sot në Kosovë. Krenohemi për misionin e NATO-s. Bullgaria do ta mbështesë këtë mision. 

Edhe njëherë nga zemra ju falënderoj për kulturën demokratike, për miqësinë, për durimin dhe përkushtimin për Ballkanin e qetë, Ballkan të cilin ligji do të jetë mbi të gjithë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.