DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti Presidentin Bujar Nishani

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani.

Me ftesë të Presidentes Jahjaga, Presidenti Nishani vizitën e tij të parë shtetërore, që pas zgjedhjes në krye të Shqipërisë, e realizon në Republikën e Kosovës . Presidenti Nishani u prit me ceremoni shtetërore nga ana e Presidentes Jahjaga, dhe më pas të dy presidentët zhvilluan një takim të përbashkët, ku diskutuan për një varg çështjesh me interes. Më pas Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani drejtuan takimin e delegacioneve të gjera të të dy shteteve. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani theksuan në takim përkushtimin e madh të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë për bashkëpunim gjithnjë e më të mirë mes dy vendeve tona në të gjitha fushat dhe për ndihmesën e ecjen e përbashkët në rrugën e integrimeve ndërkombëtare. Ata gjithashtu theksuan rëndësinë shumë të madhe të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, që shënon një moment shumë të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani bënë nga një deklaratë për media dhe u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve. Në vijim, po japim deklaratat e Presidentes Jahjaga dhe Presidentit Nishani: Presidentja Jahjaga: Presidentit të Shqipërisë i dëshiroj mirëseardhje dhe vizitë të frytshme shtetërore në Republikën e Kosovës. E çmoj lart dëshirën e Presidentit Nishani që vizitën e parë ta bëjë pikërisht në vendin tonë, sepse kjo e ka porosinë dhe simbolikën e vet në këtë 100 vjetor të festimit të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën të parët tanë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në kryengritjet për çlirim kombëtar edhe me pjesëmarrjen aktive në Kuvendin e Vlorës. Patëm një bisedë të frytshme me qëllim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe të gjithanshëm ndërmjet dy vendeve tona, me qëllim të përparimit dhe zhvillimit të investimeve dhe të daljes së përbashkët në tregjet e treta. U pajtuam që kufiri ndërmjet dy vendeve tona të jetë një kufi evropian që bashkon njerëzit, duke mundësuar një komunikim të lirshëm dhe duke pasur programe konkrete në shfrytëzimin e resurseve tona. Këtë vit përfundohet rruga e kombit “Ibrahim Rugova” në gjithë segmentin Prishtinë-Durrës dhe kjo do të ndihmojë shumë në këmbimin tregtar dhe në qarkullimin e mallrave dhe dalja e Republikës së Kosovës në portet e Shqipërisë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për plasimin e prodhimeve tona, por dhe për lidhjen ekonomike me të gjitha vendet e botës. E falënderova Presidentin Nishani për ndihmën e vazhdueshme që Shqipëria po i jep Kosovës në të gjitha fushat dhe plotësisht u pajtuam që përkrahja e shtetit shqiptar do të vazhdojë edhe në të ardhmen sidomos në lobimin për njohjet e reja të pavarësisë së Kosovës, në anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe globale, si dhe në përfaqësimin e Kosovës në vendet e treta dhe në rrugën tonë të integrimeve euroatlantike në të cilën Shqipëria po arrin suksese jashtëzakonisht të mëdha dhe ne kemi çka të mësojmë nga këto përvoja. Ne presidentët, duke paraqitur unitetin e popullit, prezantojmë parimet themelore dhe drejtimet kryesore të politikës. Qeveritë e dy vendeve tona i përjetësojnë me marrëveshjet konkrete të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, shkencor, në shëndetësi dhe në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, dhe ne jemi dhe do të jemi shembull i mirë i bashkëpunimit bilateral dhe rajonal. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve, në interes të përparimit dhe zhvillimit dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon. Presidenti Nishani: Dëshiroj të shpreh gjithë kënaqësinë dhe nderin tim të veçantë që kam që vizitën e parë si president i Shqipërisë po e bëj në Kosovë. Gjej rastin të falënderoj Presidenten Jahjaga për ftesën që më bëri dhe për pritjen e mrekullueshme që më ka ofruar. Në këtë vizitë para mundësinë të përcjell përparimet e mëdha të Kosovës dhe qytetarëve të saj, të cilat i kanë arritur në këto vite të pavarësisë dhe të lirisë së tyre. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane, është sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, po një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit. Me Presidenten Jahjaga patëm një bisedë shumë miqësore dhe të rëndësishme mbi arritjet e të dyja vendeve tona dhe bashkëpunimin e ngushtë politik, ekonomik dhe të gjithanshëm, i cili duhet të përparojë dhe të forcohet akoma më shumë. Tashmë lëvizja e lirë dhe komunikimi i qytetarëve të dy vendeve tona është një nga modelet më të shkëlqyera të jetësimit të parimeve universale të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë standard duhet të orientojmë dhe të konsolidojmë edhe lëvizjen dhe shkëmbimin e mallrave dhe tregtisë. Patra rastin t’i shpreh Presidentes urimet më të mira për vendimin e fundit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën që i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur dhe hapi një kapitull të ri për shtetin e Kosovës si sovran dhe pavarur. Kjo arritje e madhe i dedikohet qytetarëve dhe shoqërisë së Kosovës, përfaqësuesve politikë dhe institucioneve të saj, për maturinë, mençurinë, kurajën dhe dinjitetin e treguar. Një meritë e veçantë i dedikohet Presidentes Jahjaga për kontributin e saj personal në afirmimin e profilit dinjitoz të shtetit të Kosovës dhe për trajtimin me maturi të sfidave me të cilat përballet Kosova. Shpreha gjithë dëshirën dhe gatishmërinë e Republikës së Shqipërisë për të ofruar të gjitha eksperiencat e saj pozitive dhe eksperiencën e nevojshme për institucionet e Kosovës në të gjitha proceset integruese që ka nisur Kosova dhe veçanërisht përpjekjet e Shqipërisë për përfshirjen e Kosovës në Kartën e Adriatikut. Ndamë së bashku të njëjtin këndvështrim për sfidat e përbashkëta që kanë të dy vendet tona, si në luftën ndaj korrupsionit, konsolidimin e institucioneve të pavarura, përgjegjshmërinë shoqërore të akterëve politikë, zgjerimin e hapësirave të tregut të lirë. Ky takim zhvillohet në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, proces që e ndezi dritën e tij në Kuvendin e madh të Lidhjes së Prizrenit dhe u krye në Kuvendin e burrave shqiptarë në Vlorë. Ky do të jetë një moment gëzimi dhe festimi për të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen. Ky është gjithashtu moment reflektimi. Ftova Presidenten Jahjaga të na nderojë me praninë e saj në këto festime. Vizita ime e parë si President i Shqipërisë në Kosovë do të mbetet kujtimi më i bukur i gjithë jetës time.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.