Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e komunitetit goran nga Komuna e Dragashit, Fergap Zaimi, Veis Šerifi dhe Nasuf Brenolli – anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Presidentja Jahjaga me këtë rast i përcolli komunitetit goran që jeton në Kosovë, urimet për 6 majin, Ditën e Goranëve. Ajo tha se Kosova është një shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët pa dallim gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta, të drejta këto të gërshetuara në Kushtetutën e vendit.
Përfaqësuesit e komunitetit goran nga komuna e Dragashit, Fergap Zaimi, Veis Šerifi dhe Nasuf Brenolli, e kanë njoftuar Presidenten me kushtet në të cilat jetojnë dhe punojnë përfaqësuesit e këtij komuniteti dhe me përgatitjet për shënimin e 6 majit, Ditës së Goranëve.