DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, zotëri Samuel Zhbogar, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në vend, çështjen e dialogut me Republikën e Serbisë dhe zhvillimet në tri komunat në veri të Kosovës.

Presidentja Jahjaga e përgëzoi zotin Zhbogar për detyrën e re si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë, duke vlerësuar punën e përbashkët drejt avancimit të perspektivës evropiane të Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrave që dalin nga Plani Ahtisaari dhe që bashkërisht të punohet në përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare për Kosovën. Ajo tha se institucionet e Kosovës do të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të marrin përgjegjësitë që do të ndihmonin mbylljen e suksesshme të Zyrës Civile Ndërkombëtare deri në fund të këtij viti. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar që së bashku  me partnerët ndërkombëtarë të zbatojë Kushtetutën e saj në gjithë territorin e Republikës, përfshirë edhe tri komunat në veri të vendit. Ajo tha se edhe BE-ja duhet të ndihmojë në këtë proces, meqë suksesi në përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta duhet të ndërlidhet me avancimin e agjendës evropiane të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se zbatimi i plotë i Planit Ahtisaari në tri komunat në veri të Kosovës, është rruga përpara dhe vlerësoi se ai ofron zgjidhjen më të mirë për të drejtat e komunitetit serb. Ajo tha se ka vështirësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, me Republikën e Serbisë për shkak të pengesave nga vetë Serbia. Presidentja Jahjaga theksoi marrëveshjet e arritura në dialog do të duhej të ishin të garantuara nga lehtësuesi i tij Bashkimi Evropian.    Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ajo duhet të trajtohet dhe të përfaqësohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, zotëri Samuel Zhbogar, e falënderoi Presidenten për mikpritjen dhe theksoi gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet e Kosovës duke vlerësuar se suksesi i vendit do të jetë sukses i përbashkët edhe i BE-së. Ai tha se ka një përkushtim për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane. Zotëri Zhbogar tha se Kosova duhet të vazhdojë punën posaçërisht drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe të sistemit të drejtësisë dhe përshëndeti nismat e Presidentes për një bashkërendim më të mirë të institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe në luftën kundër korrupsionit, me qëllim të përshpejtimit të reformave për përafrim të vendit me BE-në.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.