Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion të Senatit Francez, të përbërë nga znj. Marie-Theresa Bruguiere, z.Jean-François Humbert dhe z.Jean-Pierre Michele, që shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Francës në vendin tonë, Jean-François Fitou.
Senatorët francezë e përgëzuan presidenten Jahjaga për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të udhëheqëses së vendit. Ata i dëshiruan sukses në punën e saj dhe i ofruan bashkëpunim dhe ndihmën e Francës për Kosovën. Ata theksuan se Franca dhe Kosova janë dy vende mike, me marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat, të cilat do të intensifikohen edhe më tej. Presidentja Atifete Jahjaga falënderoi mysafirët për vizitën dhe kujdesin e ndihmën e vazhdueshme që Republika e Francës ka dhënë dhe po jep për Republikën e Kosovës. Ajo tha se Kosova ka synim integrimin në nismat rajonale, në institucionet ndërkombëtare dhe integrimin në institucionet euroatlantike, në ç’drejtim Franca mund të japë një ndihmë të konsiderueshme. Ajo tha se për Kosovën është e rëndësishme krijimi i një marrëdhënieje kontraktuale me BE-në, me qëllim të qartësimit të së ardhmes evropiane të vendit.