Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kongresistin amerikan, zotëri Elliot Engel, që shoqërohej edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, zonja Tracey Ann Jacobson.
Presidentja Jahjaga dhe kongresisti Engel biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për përpjekjet në vendosjen e sundimit të rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, perspektivën evropiane dhe stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit.Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart rolin dhe angazhimin e kongresistit Engel për Kosovën dhe perspektivën e saj, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për një Kosovë – shtet demokratik, të përparuar dhe gjithëpërfshirës.Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka kaluar nëpër një periudhë jo shumë të lehtë brenda një periudhe njëvjeçare, në përpjekjen e saj për të adresuar çështjet e saj të brendshme, përfshirë migrimin ilegal, përparimin në rrugën e integrimeve, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, adresimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, që po bëhen kërcënime serioze për vendin dhe për rajonin si dhe vazhdimin e dialogut me Republikën e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.Ajo tha se dialogu që ka vazhduar në Bruksel, me lehtësim të BE-së, është me rëndësi për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet dy vendeve, por vlerësoi se rëndësi të veçantë ka zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani. Presidentja Jahjaga tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të dialogut. Ajo theksoi se Kosova si edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit duhet të ketë një perspektivë të qartë evropiane dhe se i gjithë rajoni i Ballkanit duhet të përfshihet në projektet energjetike dhe infrastrukturore të BE-së.Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka ende për të bërë në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që do të lehtësonte investimet e huaja dhe do të rimëkëmbte ekonominë e vendit.Për krijimin e Gjykatës Speciale, Presidentja Jahjaga tha se pret nga institucionet e vendit, Qeveria dhe Kuvendi, që të gjejnë sa më shpejt mënyrën e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimeve të vetë Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo tha se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj do të dëshmojnë se besojnë në parimet e drejtësisë për të gjithë dhe se do të përmbyllin këtë kapitull të rëndë të historisë.Kongresisti amerikan, Elliot Engel vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi se Kosova ka dëshmuar të jetë një histori e suksesit. Ai tha se është me rëndësi partneriteti i Kosovës me SHBA-në dhe vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet e saj në ndërtimin e një shoqërie demokratike.