presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe futbollistët e Kombëtares së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti në takim drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe futbollistët e Kombëtares së Kosovës, në vigjilje të takimit të parë ndërkombëtar që e zhvillon kjo Kombëtare, që nesër në Mitrovicë do të zhvillojë takimin miqësor me Kombëtaren e Haitit.

Në një takim të përzemërt, Presidentja Jahjaga përgëzoi drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës për punën e madhe që kanë bërë për të arritur deri kjo ndeshje, ndërsa futbollistëve të Kombëtares u dëshiroi sukses në përfaqësimin e shtetit tonë.Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ia dhuroi Presidentes Jahjaga fanellën e Kombëtares së Kosovës.Në një deklaratë bërë pas takimit, Presidentja Jahjaga theksoi:Sot pata kënaqësinë dhe nderin që të pres Kombëtaren e Republikës së Kosovës. Na ndan vetëm një ditë nga ndeshja e parë miqësore e Kombëtares sonë. Besoj që të gjithë po ndihemi të privilegjuar që kemi rastin të ndajmë momente të tilla bashkërisht. Jo shpeshherë në jetë na jepet mundësia që të bëjmë historinë, por ju duhet të ndjeheni të nderuar, të privilegjuar dhe krenarë që e përfaqësoni shtetin tonë, që përfaqësoni Republikën e Kosovës, një vend entuziast dhe optimist, një vend që udhëhiqet nga shpresa dhe vizioni, një vend që udhëhiqet nga këto vlera, për një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese.Rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Ka qenë një rrugë me përplot vështirësi. Shumica prej jush keni sakrifikuar karrierën tuaj të futboll, duke e pritur ditën që Kosova ta ketë kombëtaren e vet. Disa prej jush jeni detyruar ta lëshoni Kosovën si fëmijë, sepse prindërit tuaj janë ballafaquar me sfidën e ekzistencën, dhe disa të tjerëve sigurisht që u munguan edhe kushtet më elementare për të avancuar në këtë sport.Por nominuesi ynë i përbashkët jemi të gjithë ne, janë ata mbi 16,000 spektatorëve në stadium, janë dy milionë qytetarë të Republikës së Kosovës, që do ta ndjekin këtë lojë që, përkundër sfidave, përkundër vështirësive, ne do të vazhdojmë tutje dhe kjo nuk do të na ndalë, kjo do të jetë një kurajë shtesë për të gjithë juve, për të gjithë ne.Ky rrugëtim i juaji është pak a shumë edhe rrugëtimi i shtetit tonë të ri, që para dy javësh shënoi 6-vjetorin e pavarësisë dhe që ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm. Por, ky është vetëm fillimi për neve, sepse ne do të vazhdojmë që të marrim vendin tonë të merituar, të marrim vendin në mesin e më të mirëve, që të jeni përfaqësuesit e më të mirëve, të shtetit tonë.Ju lutem ta mbani në mend se nesër në Stadiumin “Adem Jashari” ju do të bëni histori. Një histori e cila është e pakthyeshme për shtetin tonë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe do të na bëni krenarë. Përmes jush do ta ndërkombëtarizojmë çështjen e Kosovës, do të ndërkombëtarizojmë sportin e Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.