Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim drejtorin politik në Departamentin për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Francës, zotëri Eric Fournier, i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, zonja Maryse Daviet.
Presidentja Jahjaga e njoftoi drejtorin Eric Fournier me të arriturat e Kosovës, posaçërisht në rrugën e saj të integrimeve evropiane, duke theksuar ndërtimin e marrëdhënieve të reja me BE-në përmes inicializimit të MSA-së. Ajo tha se Kosova është tash për tash vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit, qytetarët e të cilit janë lënë jashtë procesit të liberalizimit të vizave, një proces ky që do të duhej të përmbyllej sa më shpejtë.Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit dhe ajo nuk do të shndërrohet asnjëherë në një bazë të sigurt për elemente ekstremiste. Ajo tha se Kosova sot po luan një rol të rëndësishëm si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe është e përkushtuar që të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore, përfshirë edhe me Republikën e Serbisë, me të cilën ka hyrë në dialog të lehtësuar nga BE-ja, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura.Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot është në përpjekje të krijimit të institucioneve dhe se si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve ajo po luan rolin kushtetues të saj në lehtësimin e diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare me qëllim të tejkalimit të impasit të krijuar. Presidentja Jahjaga tha se beson që liderët e partive politike do të gjejnë zgjidhje, bazuar në kuadrin kushtetues, që do të çojë drejt krijimit të institucioneve për të vazhduar proceset demokratike të vendit dhe rrugën e integrimeve evropiane.Drejtori politik në Departamentin për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Francës, zotëri Erci Fournier, e përshëndeti angazhimin e institucioneve të Kosovës në përpjekjet globale për luftimin e ekstremizmit dhe të terrorizmit dhe tha se kjo luftë është pjesë e përbashkët e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Ai vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe tha se ajo duhet të vazhdojë të përmbushë standardet. Zotëri Fournier tha se krijimi i shpejtë i institucioneve të Kosovës është domosdoshmëri dhe i gjithë procesi duhet të jetë në kuadrin ligjor të vendit.