presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti delegacionin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot delegacionin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të kryesuar nga shefi i grupit Adem Grabovci. Delegacioni i GP të PDK e përgëzoi Presidenten për zgjedhjen në krye të shtetit dhe i shprehu mbështetje të plotë. Anëtarët e delegacionit e njoftuan Presidenten për punën që po bëhet në fusha të ndryshme në Kuvendin e Kosovës dhe në veçanti në proceset e reformës zgjedhore si dhe ato të Kushtetutës, që ndërlidhen me zgjedhjen e Presidentit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK, Adem Grabovci tha se këto takime duhet të jenë një praktikë e rregullt me të cilën do të respektohej institucioni i Presidentit, të cilin e cilësoi si të shenjtë.

Ndërkaq, anëtarja e GP të PDK-së, Flora Brovina tha se takimi është një shenjë respekti jo vetëm për presidenten si femër por edhe për shkak të aftësive dhe përgatitjes së saj profesionale.

Bashkëkryesuesi i Komisionit për ndryshime të Kushtetutës, Arsim Bajrami e njoftoi Presidenten me punën e deritashme dhe shtroi nevojën që Presidentja të caktojë edhe një përfaqësues të saj, që do të ndiqte nga afër procesin e reformave të ligjit zgjedhor dhe të ndryshimeve të Kushtetutës.  

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e vlerësoi kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për ta takuar dhe tha se takimet e këtilla janë në funksion të mirëkuptimit, respektimit të mandatit dhe të obligimeve kushtetuese dhe ligjore.

“Së bashku i harmonizojmë dhe i koordinojmë politikat por edhe çështjet konkrete.

Ne e kapërcyem një ngërç politik, dhe Ju si grup parlamentar më propozuat mua për Presidente të vendit. Këtë e bënë edhe grupet e tjera parlamentare, duke e respektuar marrëveshjen politike, për të mos e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Tani na mbeten sfidat, t’i çojmë përpara reformat dhe të bëjmë ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, tha Presidentja Jahjaga.

“Kuvendi i Kosovës, përveç këtyre objektivave, e vazhdon punën e vet të përditshme, në miratimin e ligjeve, të cilat, duke i ditur synimet tona për integrime euroatlantike, duhet të jenë të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Nga përvoja ime, por edhe nga përvoja e juaj, Ju e dini, se në punën në Kuvend nuk është çdo herë i rëndësishëm argumenti i votës. E keni parë, se më e rëndësishme është vota e argumentit. Që do të thotë se nëse e keni ju, apo cilido grup, një propozim të mirë, ndonjë zgjidhje të përshtatshme, ky atëherë është vet argumenti me të cilin sigurohet vota, nga të gjithë krahët politikë. Duhet më shumë të punoni kështu, sepse kjo i zbut antagonizmat partiake, i thyen kundërshtitë politike dhe konkrete, pozitë-opozitë,  por edhe e shton efikasitetin e punës dhe i shtendos marrëdhëniet, duke i kushtuar rëndësi profesionalizmit dhe zgjidhjeve praktike të pranueshme për të gjithë”, tha Presidentja.

Presidentja Jahjaga, duke iu drejtuar GP të PDK-së tha: “Unë, Presidentja e vendit, do të respektoj kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në secilin rast dhe në secilin vend. Kam vendosur se askund nuk do të jem pjesë e debatit publik. Jo se nuk kam qëndrim, por se këtë qëndrim duhet ta harmonizojmë së bashku në institucione, që  kur të vijë puna që unë të nënshkruaj ligjet apo të nënshkruaj çfarëdo vendimi, apo të bëj emërimet dhe shkarkimet, në secilin rast të jenë argumentet  ato që më shtyjnë ta bëj një hap të tillë, dhe kjo të jetë në interes të vendit, të popullit dhe të shtetit tim. Ju falënderoj për këtë vizitë, jemi gjithmonë të  hapur të bisedojmë për secilën çështje, këtë ta bëjmë duke respektuar Kushtetutën dhe të gjejmë zgjidhjet afatgjate dhe të qëndrueshme. Të jemi të koordinuar në secilën çështje të bashkojmë forcat sepse kështu ecim më shpejtë përpara”, tha presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.