DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti Baroneshën Joyce Anelay

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti në takim Ministren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baroneshën Joyce Anelay, vizita e së cilës zhvillohet në kuadër të vazhdimit të marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, dhe bashkëpunimit të ngushtë në fushën e të drejtave të njeriut përkatësisht ndihmën për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Presidentja Jahjaga dhe Baronesha Anelay kanë diskutuar rreth progresit që Kosova ka bërë në rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, në kuadër të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar nevojën e vazhdimit të hapave institucionalë dhe shoqërorë, për të garantuar vënien e drejtësisë gjithëpërfshirëse për të mbijetuarit.Presidentja Jahjaga dhe Baronesha Anelay kanë biseduar edhe për çështje të tjera të aktualitetit politik në vend dhe për angazhimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, sfidat në rrugën evropiane dhe dialogun me Republikën e Serbisë.Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Baronesha Anelay do të ketë një drekë pune me anëtarët e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe do të vizitojë organizatat joqeveritare të grave në Drenas dhe në Gjakovë.Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe baronesha Anelay mbajtën një konferencë për media.Në deklaratën e bërë në këtë konferencë, Presidentja Jahjaga tha:Kam mirëpritur sot në vizitën e saj të parë në Kosovë, me ftesën time, Baroneshën Anelay, pas takimit të përbashkët pak ditë më parë në Londër, që shënon edhe vazhdimësinë e angazhimit për çështjet konkrete në ndihmë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Vizita e Baroneshës në Kosovë, vjen në një periudhë të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe pas takimit historik që zhvillova me Mbretëreshën Elizabetë II, javën e kaluar në Londër.Shpreh falënderimin tim të thellë për mikpritjen dhe për takimin e jashtëzakonshëm me lideren vizionare të Mbretërisë së Bashkuar dhe për mbështetjen që vazhdon t’i japë popullit të Kosovës në rrugën e zhvillimit demokratik të tij. Gjithashtu, kjo vizitë e Baroneshës në Kosovë bëhet në një kohë të rëndësishme për vendin tonë dhe për rolin e tij në skenën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të sigurisë në përgjithësi.Së bashku me Baroneshën biseduam rreth përparimit që Kosova ka bërë në krijimin e një qasjeje institucionale dhe shoqërore në kuadër të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të garantuar rehabilitimin e të mbijetuarve, duke vendosur theks të veçantë në nevojën e vënies së drejtësisë për krimin e kryer mbi qytetarët e Kosovës, në kohën e luftës. Ne kemi hapur një kapitull të ri për viktimat e dhunës seksuale, të cilat për 15 vjet janë stigmatizuar në shoqëri, dhe së fundi po njihet e drejta e tyre me ligj që do të garantojë të drejtën e tyre, dinjitetin e tyre dhe rikthimin në shoqëri..I shpreha mirënjohje Baroneshës Anelay për kontributin që shteti i saj dhe zyra që ajo udhëheq i kanë dhënë organizatave joqeveritare në Kosovë me programet dhe ekspertizën e tyre, si dhe për angazhimin e tyre në nivel global për të mos e lënë këtë krim të pandëshkuar, kudo që ai ndodh. E drejta e secilës viktimë të dhunës seksuale gjatë luftës duhet të garantohet dhe qasja në drejtësi do të ndihmonte ato të gjejnë qetësinë shpirtërore dhe ta luftojnë stigmën.Kosova duhet të jetë pjesë e nismave ndërkombëtare, dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë duhet të njihen, sepse kështu luftojmë padrejtësinë për to dhe sepse kështu ndihmojmë ato ta mundin përbuzjen që kanë pasur për këto 15 vite me radhë. Britania e Madhe ka qenë përkrah Kosovës dhe në mbështetje e ndihmë të këtyre viktimave, duke e bërë Kosovën pjesë të Protokollit Ndërkombëtar për Investigimin dhe Dokumentim e këtyre akteve mizore.Pa diskutim se përfshirja e Kosovës në këto nisma do të kontribuojë jo vetëm në shkëmbim të përvojave, por edhe në vënien e drejtësisë dhe parandalimin e këtyre krimeve.E ritheksoj se Kosova është treguar si një partnere e rëndësishme në skenën ndërkombëtare edhe në fushat e tjera, në veçanti në atë të sigurisë, në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe në ruajtjen e paqes në botë.Gjithashtu Kosova dhe qytetarët e saj do të dëshmojnë se janë të përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, në fushën e drejtësisë, dhe në respektim të parimit të drejtësisë për të gjithë njëlloj. Me Baroneshën kemi ritheksuar shpresën se institucionet e vendit do të gjejnë mundësinë që, së shpejti, të votojnë krijimin e Gjykatës Speciale, duke mos lejuar që një institucion tjetër, e në këtë rast Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të ndërtojë një organizëm të veçantë të drejtësisë për vendin tonë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.