presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga mori pjesë në varrimin e Vaclav Havelit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore mortore, të organizuar në Katedralen e Shën Vitos (Cathedral of Saint Vitus) në Pragë, për t’i dhënë lamtumirën Presidentit Vaclav Havel, që ndërroi jetë më 18 dhjetor të këtij viti.

Presidentja Jahjaga në ceremoninë mortore i shprehu ngushëllimet e saj, të institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës bashkëshortes së Presidentit Havel, Dagmar Havlova dhe zyrtarëve më të lartë të Republikës së Çekisë: presidentit Vaclav Klaus, kryeministritPetr Necas, kryetarit të Senatit, Premysl Sobotka, kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në Parlamentin Çek, Miroslava Nemcova dhe ministrit të Jashtëm, Karel Schwarzenberg. Në ceremoninë mortore në Katedralen Shën Vito, presidentja e Republikës së Kosovës ishte së bashku me ministrin e jashtëm të Sllovakisë, Mikulas Dzurinza, kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, komisionerin për zgjerim të BE-së, Stefan Fuele, presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk dhe kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Në ceremoninë mortore për t’i dhënë lamtumirën Presidentit Havel, kanë marrë pjesë dhjetëra delegacione nga e gjithë bota, në mesin e të cilëve 20 presidentë të vendeve të ndryshme, si dhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, me bashkëshortin e saj ish-Presidentin Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar z.Havel si mik të madh të Kosovës dhe ka thënë se vdekja e tij është një humbje e madhe për popullin dhe shtetin çek, por edhe për gjithë popujt liridashës në botë. Vaclav Havel ishte mik dhe përkrahës shumë i madh i Kosovës. Për këtë ai u nderua me dekoratën e lartë “Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”. Në muajin tetor, Presidentja Jahjaga ishte në Pragë të Çekisë, ku mori pjesë në punimet e Konferencës së 15-të të “Forumit 2000”, me ftesën e z.Vacllav Havel, i cili mirëpriti dhe vlerësoi lart pjesëmarrjen në konferencë të presidentes së shtetit më të ri në Evropë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.