Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe Drejtoresha e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Maureen A. Shauket, nënshkruan sot amendamentimin e Marrëveshjes për Grantin e Objektivave Zhvillimore, të nënshkruar në vitin 2013.
Marrëveshja bilaterale për Grantin e Objektivave Zhvillimore tregon përkushtimin e Qeverisë së SHBA-së për sigurimin e fondeve për mbështetje për një numër të madh të objektivave të USAID-it në Kosovë. Fondet e kësaj marrëveshjeje janë duke u përdorur për aktivitete në fushat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes, aktivitete për rritjen e investimeve dhe punësimin në sektorin privat, si dhe programe për përmirësimin e kapitalit njerëzor në Kosovë. Amendamentimi siguron një rritje të vlerës në shumë prej rreth 1,5 milionë dollarë amerikanë dhe sjell shumën totale të kësaj marrëveshjeje në vlerë prej rreth 38 milionë dollarë.Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e çmoi si shumë të rëndësishme përkrahjen e SHBA-ve për vendin tonë dhe vlerësoi angazhimin e USAID-it me projektet konkrete në fusha të ndryshme. Ajo tha se marrëveshja e sotme është një ndihmë shumë e madhe dhe një tregues i përkujdesjes së vazhdueshme të SHBA-së për zhvillimin e Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në fushën e ekonomisë.