Fjala e Presidentit Sejdiu në akademinë përkujtimore për Prof dr. Bardhyl Çaushin
E nderuara familje e prof. Bardhyl Çaushit,
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të partive politike,
Profesorë të Universitetit, studentë,
Bashkëmendimtar dhe bashkëqytetarë të Kosovës dhe të botës shqiptare,
Zonja dhe zotërinj,
Sot po e përkujtojmë profesor Bardhyl Çaushin, njërin nga personalitetet më të rëndësishme që kishte Universiteti i Prishtinës jo vetëm në fushën e dijes dhe të studimeve, por edhe në fushën e organizimit politik dhe të rezistencës.
Të gjithë ata që e kanë njohur profesor Bardhyl Çaushin kanë në përmbledhjen e mendjes së tyre një emërues të përbashkët, se ishte një njeri me tipare të larta të atdhetarit, ishte një mësues, një profesor, një jurist i dijes së thellë, që dinte në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha shkathtësitë e një dijetari të fushës së drejtësisë dhe të një intelektuali të horizonteve të përgjithshme të dijes, që dinte të gjitha këto t’i artikulojë në mënyrën më të mirë të mundshme në edukimin e brezave të shumtë në UP pas peripecive të shumta që kishte në proceset e emancipimit nacional juridik dhe politik të Kosovës.
Si edhe shumë të tjerë, pata nderin që ta kem profesorë dhe të marr dijet apo bazat e para të studimit në një nga lëndët që atëherë quhej nga më të vështirat në studimet e drejtësisë, në të drejtën romake. Ishte profesor që nuk ndali veten dhe përkushtimin e tij vetëm në atë se çfarë kanë thënë latinët e vjetër se çfarë themelesh të shoqërisë dhe shtetit kanë bërë latinët e vjetër, por ishte njeri që gjithmonë në maksimat e thella që nxirrte nga e drejta romake nxirrte porosi për jetën, për të ardhmen. Prandaj, ishte e para “Të rroshë me nder”, “Askujt mos i bën dëm por secili të marrë atë që i takon”, e dyta për nxënësit, për studentët, “Ruaju njeriut që e ka lexuar vetëm një libër”, ku porosia ishte lexoni mësoni dhe studioni më shumë, dhe e treta “Njeriu nuk ka lindur vetëm për veten por edhe për atdheun”.
Bardhyl Çaushi priu në gjeneratën e parë të mësimit plotësisht shqip në Universitetin e Prishtinës me vështirësitë e kohës me peripecitë e shumta, me përplasje të shumta që ishin, por ishte një shembull i një pedagogu dhe një udhëheqësi politik në proceset e mëdha të udhëhequra nga Presidenti Rugova ashtu siç duhej. Ishte njeri që ofroi edhe njerëzit e dijes edhe të moshës më të re edhe njerëzit do të thosha të gjithë shtrirjes prej nga i kishte studentët, prandaj sot në nderim të figurës së tij, të personalitetit të tij të fuqishëm në të gjitha proceset që ka pasur, unë kam marrë vendin në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të rregullores mbi dekoratat, urdhrat dhe titujt e nderit të Kosovës që i jep President i Republikës, që prof. dr. Bardhyl Çaushi të dekorohet me Medaljen e Artë “Mësues i Merituar” për kontributin e dhënë për arsimimin dhe edukimin e shumë brezave të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Kjo medalje u jepet qytetarëve të Kosovës për kontributin në fushën e arsimit dhe të edukimit në të gjitha nivelet.
Lavdi i qoftë përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor.
Ju faleminderit!