presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti: Ushtarët, sportistët dhe artistët, krenaria e 11 Vjetorit të Pavarësisë

Prishtinë, 17 shkurt 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar qytetarëve para parakalimit të Ushtrisë së Kosovës për 11 Vjetorin e Pavarësisë.

“Ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës jeni krenaria jonë. Ju jeni dëshmia më e mirë e suksesit të shtetit tonë, e përparimit tonë. Vetëm 11 vjet më parë kemi filluar së bashku rrugën e konsolidimit të republikës së pavarur të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se e mirëpresim ditën kur ushtarët e Kosovës, së bashku me ushtarët e rajonit, do të shërbejnë për të ndërtuar paqen në çdo kënd të planetit.“Paqen ia kemi obligim gjeneratave të reja që do të vijnë. Por, e kemi obligim edhe t’ua mësojmë të kaluarën tonë, sakrificat që kemi bërë për të fituar lirinë dhe pavarësinë tonë. Rrugëtimi ynë për ndërtimin e shtetit ka kërkuar edhe mençuri, durim e urti. Ka kërkuar që të dimë se kur duhet të marrim vendime strategjike dhe kur duhet të bëjmë kompromise. Por, çdo herë kemi mbajtur sytë te aspirata jonë kryesore. Te liria dhe pavarësia. Te shteti i Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai ka thënë se këtë vit duhet të marrim edhe një vendim tjetër strategjik për të ardhmen e vendit tonë.“Duhet të arrijmë marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse, të përhershme me Serbinë, që siguron njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO dhe BE. Jo për të harruar të kaluarën, por për të mos lejuar që të përsëriten vuajtjet dhe tragjeditë e kaluara. Për këtë vendim na kërkohet përsëri mençuri, urti dhe unitet”, pohoi presidenti Thaçi.Para qytetarëve dhe mysafirëve ndërkombëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se në rrugëtimin tonë të suksesshëm për shtetësi është edhe një faktor tjetër i pazëvendësueshëm.“Ky është partneriteti ynë me bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, me shtetet e Evropës, me NATO-n”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se sa herë kemi qenë të bashkuar në Kosovë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në dhe BE-në, kemi dalë fitimtarë.“Edhe nëse vendimet janë dukur të vështira e të rënda në fillim, historia ka treguar se kanë qenë vendimet më të mira dhe më të duhura për kohën dhe rrethanat”, ka shtuar presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka shtuar se për Kosovën mbetet thelbësore që të ruajë dhe të kultivojë partneritetin me aleatët tanë.Ai ka theksuar se sukseset e Kosovës, ndërtimi i ushtrisë, ndërtimi i shtetit, janë suksesi ynë i përbashkët.“Në këtë datë përkujtojmë me respektin më të thellë të gjithë ata që kanë sakrifikuar çdo gjë që kishin për këtë liri dhe për këtë shtet. Kujtojmë çdo dëshmor, çdo luftëtar, çdo të burgosur, çdo refugjat, çdo aktivist, çdo punëtor humanitar, çdo gazetar, secilin mësues, çdo punëtor, që kanë bërë çdo gjë që kishin në dorë për të fituar lirinë dhe për të ndërtuar shtetin. Duke nderuar të kaluarën, shikojmë kah e ardhmja”, ka thënë presidenti Thaçi.Përkushtimi dhe profesionalizmi i ushtarëve të FSK-së, sukseset e shkencëtarëve, sportistëve dhe artistëve të Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se janë frymëzim për të gjithë ne.“Janë motiv për ne. Janë konfirmim se kemi punuar mirë dhe drejtë. Janë dëshmi se jemi në rrugën e duhur. Por, janë edhe obligim që të punojmë edhe më shumë”, ka thënë ai.Duke i uruar të gjithë qytetarët për 11 Vjetorin e Pavarësisë, presidenti Thaçi ka thënë se të bashkuar do të realizojmë çdo aspiratë të popullit tonë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.