Prishtinë, 13 nëntor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë sot pjesë në hapjen e Konferencës: ‘NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në erën e sfidave globale të sigurisë’.
Me këtë rast, Presidenti ka theksuar se Kosova ishte shembulli më i mirë i reagimit të NATO-s ndaj sfidës më të madhe të sigurisë në atë kohë në Evropë.Sipas tij, liria e Kosovës ishte vlerë që na bashkoi neve, si politikanë dhe qytetarë të Kosovës, me vlerën supreme të sigurisë ndërkombëtare, atë të paktit NATO, pikërisht në ditëlindjen e pesëdhjetë të saj.“KFOR-i, i cili është garant i stabilitetit në Kosovë, është misioni më i suksesshëm i paqës në botë për dekada me radhë. Kosova sot është një shtet stabil, i qëndrueshëm dhe me synime të qarta”, ka theksuar ai.Megjithëkëtë, Presidenti vuri në dukje se Kosova edhe më tutje po përballet me paradokse të llojit të veçantë.Sipas tij, Kosova është pa kurrfarë dyshimi shteti më proevropian, më pro NATO dhe më pro amerikan në botë, ndërsa është njëkohësisht shteti më i izoluar.Ai ka thënë se Kosova është kampion në rajon në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit përkundër faktit se jemi të anashkaluar dhe ende nuk jemi bërë anëtar të Interpolit.“Kosova është shembull jo vetëm në këtë anë të Evropës, për tolerancë ndër fetare dhe ndër etnike, mirëpo fatkeqësisht ne nuk ende nuk jemi të anëtarësuar në UNESCO, për shkak të pengesave politike të Serbisë dhe shteteve tjera që e keqpërdorin UNESCO-n për qëllime politike”, ka shtuar ai.Presidenti më tej ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që kohë më parë, lansoi dialogun për pajtimin historik midis shqiptarëve dhe serbëve, përmes krijimin të Komisionit për paqen dhe të vërtetën.“Përkundër tragjedisë së madhe që na është shkaktuar në vitet e luftës, unë si President i Kosovës, por edhe politikanë të tjerë të këtij vendi, duam ta mbyllim kapitullin e armiqësive me Serbinë, duke normalizuar, përmes dialogut të Brukselit, marrëdhëniet me këtë shtet fqinj”, ka thënë ai.Duke folur për procesin e transformimit të FSK-së, Presidenti ka paralajmëruar se, duke siguruar mbështetjen për ndryshimet e Kushtetutës për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kosova në partneritet të plotë me SHBA-në dhe NATO-n, do t’i krijojë Forcat e Armatosura të Kosovës. “Natyrisht, Kosova mbetet e gatshme për të dhënë kontributin e vet modest kudo në botë, duke marrë pjesë në misionet paqeruajtëse, sepse qëllimi ynë është që të bëhemi pjesë përbërëse e Partneritetit Për Paqe (PFP), dhe të anëtarësohemi në NATO”, ka thënë ai.Viti i ardhshëm sipas tij, mund të jetë determinues për perspektivën euroatlantike të shteteve të Ballkanit Perëndimor.Ai ka shtuar se mundësi e tillë, në masë të madhe do të varet nga aftësia, guximi dhe gatishmëria e vet shteteve tona respektive, për të tejkaluar problemet ende të hapura ndërmjet nesh. “Unë jam duke punuar shumë në këtë aspekt, sepse nuk mendoj se ka asgjë më të rëndësishme se sa paqja, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Prandaj, besoj se gjatë vitit të ardhshëm, ne duhet të arrijmë të nënshkruajmë marrëveshjen historike me Serbinë për normalizim dhe pajtim”, ka thënë ai.Në fund, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet rrëfimi më i mirë i mundshëm i partneritetit midis një populli të një vendi të vogël, pra Kosovës, me NATO-n, BE-në dhe Perëndimin në përgjithësi.